Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur në takim Krye-Këshilltarin Financiar dhe Drejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tobias Adrian.
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet kryesore në sektorin financiar të vendit, prioritetet strategjike të BQK-së si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me FMN-në në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe avancimit të reformave institucionale.
Guvernatori Ismaili e njoftoi përfaqësuesin e FMN-së për ecurinë e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar se ai mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Ai veçoi rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimit të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, zbatimit të politikave makroprudenciale, si dhe përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Në takim u trajtua edhe zbatimi i Planit Strategjik të BQK-së, si kornizë për reformat institucionale dhe modernizimin e sektorit financiar. U diskutuan prioritetet që lidhen me modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, forcimin e qeverisjes institucionale, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e tregjeve financiare.
Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet në mjedisin financiar ndërkombëtar dhe ndikimin e tyre në ekonomitë e vogla dhe të hapura, me theks në rëndësinë e politikave të kujdesshme dhe qëndrueshmërisë institucionale përballë rreziqeve dhe pasigurive globale.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, përfshirë asistencën teknike dhe këshillimin profesional në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare dhe zhvillimi institucional.
Vizita e Tobias Adrian në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, të organizuar nga BQK. Konferenca mbledh përfaqësues të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet në fushën e kripto-aseteve, parasë digjitale dhe rregullimit financiar.