E premte, 5 Qershor, 2026

Qeveria hap front tregtar me Serbinë: Nisin masat anti-dumping dhe kufizohen importet

Ndaj

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar dy masa të reja ndaj Serbisë, duke argumentuar se ato synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe rivendosjen e konkurrencës së drejtë në treg, raporton Kujdestari.info.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, Kusari-Lila bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për nisjen e hetimit zyrtar ndaj importit të farës së grurit nga Serbia, pas dyshimeve se ky produkt po futet në tregun e Kosovës me çmime damping, duke dëmtuar prodhuesit vendorë.

Sipas saj, analiza preliminare e Departamentit të Tregtisë ka identifikuar indikacione se fara e grurit nga Serbia po importohet në sasi të konsiderueshme dhe me çmime që mund të konsiderohen damping, duke shkaktuar dëme materiale për industrinë vendore.

“Nëse gjatë hetimit vërtetohen dyshimet për aplikimin e çmimeve të dumpingut dhe dëmi ndaj industrisë vendore, atëherë do të ndërmerren masa të përkohshme antidumping për mbrojtjen e prodhimit vendor”, deklaroi Kusari-Lila.

Paralelisht, ministrja njoftoi edhe një masë të dytë, e cila pritet të procedohet për miratim në Qeveri. Bëhet fjalë për vendosjen e kuotave sasiore ndaj importeve të aluminit dhe artikujve prej alumini me origjinë nga Serbia.

Sipas propozimit, Kosova do të lejojë importe nga Serbia vetëm deri në 30 për qind të sasisë së importuar gjatë vitit 2025. Për periudhën deri më 31 dhjetor 2026, kuota është caktuar në 637.26 tonë, ndërsa çdo sasi mbi këtë limit do t’i nënshtrohet një tarife doganore prej 50 për qind.

Kusari-Lila tha se vendimi është përgjigje ndaj masave të ngjashme të vendosura nga Serbia ndaj produkteve kosovare të çelikut dhe metaleve, për të cilat autoritetet kosovare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime në kuadër të CEFTA-s.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, Serbia importoi nga Kosova produkte të kapitullit 73 (gize dhe çelik) në vlerë prej 14.5 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa eksportoi në Kosovë vetëm 5.3 milionë euro, çka sipas saj shpjegon arsyen pse Beogradi vendosi kuota ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, sa i përket aluminit dhe artikujve prej alumini, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej mbi 17 milionë eurosh gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet kosovare në këtë kategori drejt Serbisë ishin vetëm 2.7 milionë euro.

Njoftimi për këto masa vjen në një moment politikisht të ndjeshëm, vetëm 48 orë para ditës së zgjedhjeve, duke e rikthyer edhe një herë çështjen e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në qendër të debatit publik. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera