E premte, 5 Qershor, 2026

Rekord historik i eksportit në Minierën me Flotacion Kishnicë & Artanë -2026 shënon kulmin e prodhimit

Ndaj

Miniera me Flotacion Kishnicë & Artanë ka regjistruar rezultatet më të larta të eksportit në gjashtë vitet e fundit, duke e shndërruar vitin 2026 në një nga periudhat më të suksesshme në historinë e saj të fundit, raporton Kujdestari.info.

Sipas të dhënave për pesëmujorin e parë të vitit 2026, eksporti i koncentratit të plumbit ka arritur në 283.72 tonë, ndërsa ai i koncentratit të zinkut në 548.96 tonë, duke tejkaluar të gjitha rezultatet e regjistruara nga viti 2021 e deri më sot.

Krahasuar me vitet paraprake, eksporti i koncentratit të plumbit nuk kishte kaluar më parë nivelin prej 218.94 tonësh, sa ishte regjistruar në vitin 2024. Ndërkohë, edhe te koncentrati i zinkut është shënuar një rritje e jashtëzakonshme, duke lënë pas rekordin e mëparshëm prej 355.67 tonësh të vitit 2022.

Rezultatet e vitit 2026 përfaqësojnë një rekord të trefishtë për minierën: rekord në eksportin e koncentratit të plumbit, rekord në eksportin e koncentratit të zinkut dhe rekord të përgjithshëm në eksport.

Ky sukses vjen si rezultat i rritjes së kapaciteteve prodhuese, përmirësimit të proceseve të punës dhe orientimit të qartë drejt tregjeve ndërkombëtare. Nga nëntoka e Kishnicës dhe Artanës deri te tregjet jashtë vendit, prodhimi minerar po dëshmon një trend të qëndrueshëm rritjeje dhe një potencial gjithnjë e më të madh eksportues.

Drejtuesit e minierës e vlerësojnë këtë arritje si dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm të punëtorëve dhe stafit teknik, të cilët kanë kontribuar në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e performancës operative. Me rezultatet e deritanishme, viti 2026 po konsiderohet si viti më i suksesshëm i periudhës së fundit për Minierën me Flotacion Kishnicë & Artanë. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera