Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka ngritur gjetje serioze lidhur me një procedurë të prokurimit të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës, e udhëhequr nga Artan Rizvanolli, për shërbime të angazhimit të ekspertëve konsulentë, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit të auditimit, në tenderin “Angazhimi i pesë ekspertëve konsulentë”, janë konstatuar paqartësi dhe devijime në mënyrën e përcaktimit të kritereve të vlerësimit, duke ngritur shqetësime për objektivitetin e procesit.
Auditorët theksojnë se kriteret kryesore si përvoja e punës dhe posedimi i diplomës janë përcaktuar, por pa parametra të matshëm dhe të standardizuar, gjë që ka lënë hapësirë për vlerësim subjektiv të ofertave. Po ashtu, mungojnë elemente të qarta metodologjike për ndarjen e pikëve, duke e bërë të vështirë krahasimin objektiv të ofertuesve.
Në raport thuhet gjithashtu se pikët e planifikuara janë ndryshuar gjatë procesit, përfshirë rritjen e vlerës së kritereve financiare në raport me ato teknike, duke devijuar nga praktikat standarde të vlerësimit.
Kontrata për këtë aktivitet, sipas ZKA-së, kap vlerën rreth 69,762 euro.
Auditorët kanë identifikuar se këto mangësi lidhen me mungesë të kontrollit të brendshëm dhe mosrespektim të plotë të rregullave të prokurimit, duke rritur rrezikun për vendimmarrje jo të drejtë në përzgjedhjen e ofertuesve.
Sipas, ZKA-se, ministria duhet të forcojë sistemin e kontrollit të brendshëm në Zyrën e Prokurimit, duke siguruar që kriteret të jenë të qarta, të matshme dhe të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme gjatë vlerësimit të ofertave.
ZKA kërkon përmirësim të standardeve të vlerësimit për të garantuar transparencë, barazi dhe konkurrencë të drejtë në procedurat e prokurimit publik. /Kujdestari.info/
