E hënë, 15 Qershor, 2026

Tenderi 710 mijë euro në Fushë Kosovë me afate të dyshimta dhe specifika që kufizojnë konkurrencën

Ndaj

Kryetari i Fushë Kosovë ka shpallur gjendje emergjente për mbeturinat, duke alarmuar për situatën në terren. Vetëm pak ditë më parë, është hapur një tender për furnizim me pajisje komunale, duke ngritur dyshime për kohën dhe arsyet e këtij vendimi, shkruan Kujdestari.info.

Komuna e Fushë Kosovës po planifikon të furnizohet me një sërë pajisjesh dhe automjetesh komunale për menaxhimin e mbeturinave, pastrimin urban dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së kanalizimeve, përmes një tenderi që përfshin kamionë për grumbullim të mbeturinave, kompaktorë, fshisë vakum dhe cisternë për zhbllokim kanalizimesh. Megjithatë, mënyra si është hartuar procedura e prokurimit  nga afati i shkurtuar i ofertimit, mungesa e ndarjes në lote dhe deri te specifikimet teknike të detajuara, ngre dyshime nëse kriteret janë hartuar për konkurrencë sa më të gjerë në treg apo nëse ato mund të kufizojnë numrin e operatorëve ekonomikë potencialë.

Komuna e Fushë Kosovës ka hapur më 3 qershor 2026 tender në vlerë të parashikuar prej 710 mijë euro, për furnizim me automjete dhe pajisje komunale, konkretisht për kamionë për grumbullim të mbeturinave, kompaktorë, fshisë vakum për pastrim të rrugëve dhe cisternë për zhbllokim të kanalizimeve.

Tenderi është planifikuar të mbetet i hapur deri më 24 qershor 2026, çka nënkupton një periudhë prej rreth 21 ditësh nga publikimi deri në afatin për ofertim.

Megjithatë, analiza e dokumenteve të tenderit, formularit të korrigjimeve dhe specifikimeve teknike ngre një varg dyshimesh që lidhen me pajtueshmërinë e procedurës me frymën e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), konkurrencën e barabartë, neutralitetin teknik dhe proporcionalitetin e kritereve.

Afati i shkurtuar, shkelje e ligjit

Një nga çështjet më të ndjeshme në këtë tender lidhet me kohën e lënë në dispozicion për operatorët ekonomikë.

Në njoftimin për kontratë, vetë autoriteti kontraktues ka deklaruar se ka përdorur afat të shkurtuar, duke arsyetuar vendimin me: “arsye të nevojës urgjente për sigurimin dhe funksionimin e pandërprerë të shërbimeve komunale dhe interesin publik”.

Megjithatë, në praktikën e prokurimit publik, shkurtimi i afateve konsiderohet përjashtim dhe jo rregull.

Pra, ky shkurtim i afatit është shkelje ligjore dhe ngre dyshime se ndonjë kompani mund të jetë informuar më herët nga Komuna e Fushë Kosovës për të përgatitur dokumentacionin.

Ligji për Prokurimin Publik në rastin e kontratave të mëdha të hapura kërkon që hapja e ofertave të bëhet në ditën kur përfundon afati për dorëzimin e tenderëve dhe ky afat duhet të jetë jo më pak se 40 ditë. Megjithatë, Komuna e Fushë Kosovës ka caktuar një afat prej vetëm 21 ditësh.

Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Afati prej vetëm 21 ditësh bëhet edhe më problematik kur analizohet në raport me numrin dhe kompleksitetin e kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktues. Dokumentacioni kërkon autorizime nga prodhuesit, katalogë teknikë, certifikata të konformitetit, certifikime ISO, garanci specifike dhe një sërë dëshmish të tjera profesionale që zakonisht kërkojnë kohë të konsiderueshme për t’u siguruar, veçanërisht kur pajisjet prodhohen jashtë vendit. Në këto rrethana, lind dyshimi se si mund të përgatitet në mënyrë reale një ofertë e plotë dhe konkurruese brenda një afati kaq të shkurtër. Si rrjedhojë, nuk mund të përjashtohet perceptimi se ndonjë operator ekonomik mund të ketë qenë në dijeni paraprake për përmbajtjen e tenderit ose të ketë filluar përgatitjet kohë para publikimit zyrtar të tij, duke krijuar një avantazh që operatorët e tjerë nuk e kanë pasur. Edhe pse kjo nuk përbën provë për favorizim, kombinimi i afatit të shkurtuar me kriteret e shumta dhe teknike është i mjaftueshëm për të ngritur dyshime legjitime mbi barazinë e mundësive në këtë procedurë.

Një tender për katër kategori të ndryshme – pse nuk u nda në lote?

Një tjetër çështje mund të lidhet me mënyrën si është konceptuar objekti i tenderit.

Në një kontratë të vetme janë përfshirë, kamion për grumbullim mbeturinash; kompaktor; fshesë vakum për pastrim rrugësh; cisternë për zhbllokim kanalizimesh.

Bëhet fjalë për pajisje me funksione krejtësisht të ndryshme, me prodhues të ndryshëm, tregje të ndryshme furnizimi dhe distributorë të specializuar.

Megjithatë, autoriteti kontraktues ka vendosur të mos e ndajë tenderin në lote (pjesw).

Kjo ngre dyshime për konkurrencën.

Në praktikë, shumë operatorë ekonomikë mund të jenë të specializuar vetëm për një kategori të pajisjeve. Një kompani mund të furnizojë vetëm kamionë të mbeturinave. Një tjetër mund të jetë distributore ekskluzive për pajisje kanalizimi. Një operator i tretë mund të furnizojë vetëm fshisë vakum. Kur të gjitha bashkohen në një kontratë të vetme, krijohet praktikisht një barrierë hyrëse, ku operatorët e vegjël ose të specializuar përjashtohen nga gara.

Në shumë raste të ngjashme, ndarja në lote konsiderohet mjet për rritjen e konkurrencës dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë. Mosndarja në lote nuk përbën shkelje ligjore, por bëhet e diskutueshme kur kombinimi i produkteve është kaq heterogjen dhe kur efekti potencial mund të jetë kufizimi i tregut.

Certifikatat ISO, a janë proporcionale me objektin e tenderit?

Një tjetër element është kriteri për ISO 9001:2015 (Menaxhimi i Cilësisë).

Në fakt, kërkesa për ISO 9001 nuk është e pazakontë në tenderë publikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizime me pajisje teknike dhe automjete industriale. Megjithatë, lindin dyshime për proporcionalitetin dhe lidhjen direkte me objektin e kontratës. Kjo pasi në rastin konkret, kemi të bëjmë me një tender furnizimi, jo prodhimi.

Pra operatori ekonomik nuk po prodhon automjetet, ai po i furnizon ato.

Referimi në markë tregtare, rasti i “ZF”

Një ndër kriteret më të ndjeshme në këtë tender është referimi i drejtpërdrejtë në markën “ZF transmission”

Në dokumentacion teknik përmendet kërkesa për “Manual ZF me minimum 6 shpejtësi”.

Në prokurim publik, referimi në marka tregtare zakonisht konsiderohet praktikë e kunderligjshme nëse nuk përdoret formulimi “ose ekuivalent”.

Arsyeja është e thjeshtë, pasi referimi i drejtpërdrejtë në markë kufizon operatorët që përdorin sisteme të tjera teknike të krahasueshme, por jo identike.

Kriteri “2026” nevojë reale apo kufizim i panevojshëm?

Një tjetër element që mund të konsiderohet diskutabil është kërkesa për automjete të vitit 2026.

Në praktikën e furnizimeve publike, shpesh autoritetet kërkojnë automjete të reja, të papërdorura, me kilometrazh 0.

Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që automjeti duhet të jetë prodhim i vitit 2026.

Një automjet i vitit 2025, me 0 kilometra, i papërdorur dhe me të njëjtat standarde teknike e garanci, në shumë raste mund të përmbushë nevojën institucionale po aq mirë.

Kur kufizimi bëhet në vit specifik prodhimi, kjo redukton panevojshëm stokun e disponueshëm në treg dhe numrin e ofertuesve potencialë. (DOK1) (DOK2) (DOK3) (DOK4)

Nga ana tjetër, sot kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se kjo komunë ka shpallur gjendje emergjente në sektorin e mbeturinave.

Prebreza ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, dhe ka thënë se, ky problem ‘’do zgjidhet shumë shpejt’’. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera