E premte, 8 Maj, 2026

Policia konfirmon për Kujdestari.info: “Dhjetëra raste” të mashtrimeve me llogari bankare janë raportuar gjatë fundjavës

Ndaj

Pas raportimeve të publikuara nga Kujdestari.info lidhur me dyshimet për mashtrime financiare ndaj qytetarëve përmes mesazheve të rreme, Policia e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë periudhës së fundit janë evidentuar dhe trajtuar dhjetëra raste të tërheqjeve të paautorizuara të mjeteve nga xhirollogaritë bankare.

Në përgjigjen për Kujdestari.info, Policia nuk përmend një bankë të vetme, por thekson se rastet lidhen me banka të ndryshme në Kosovë, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një skemë më të gjerë mashtrimi që po targeton klientët bankarë në përgjithësi.

“Gjatë periudhës së fundit në kuadër të Drejtorive Rajonale të Policisë / Departamenti i Rendit Publik janë raportuar dhe trajtuar raste të mashtrimeve kur qytetarët janë dëmtuar përmes tërheqjes së paautorizuar të parave nga xhirollogaritë e tyre dhe kryerjes së pagesave pa dijeninë e tyre në banka të ndryshme”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Kosovës për Kujdestari.info.

Pyetur se sa raste janë raportuar konkretisht gjatë fundjavës, Policia konfirmon se bëhet fjalë për “dhjetëra raste”, pa dhënë një numër të saktë.

“Për periudhën që ju i jeni referuar janë evidentuar dhjetëra raste”, thuhet më tej në përgjigje.

Ky është konfirmimi zyrtar që vjen pas raportimeve të shumta të qytetarëve, të cilët pretenduan se pas pranimit të mesazheve të dyshimta dhe klikimit në linke të paraqitura si zyrtare të bankave, kanë humbur mjete financiare nga llogaritë e tyre.

Sipas praktikave të njohura të sulmeve “phishing”, mashtruesit përdorin SMS apo forma të tjera komunikimi për t’i bindur viktimat të fusin të dhënat bankare në faqe të rreme që imitojnë faqet zyrtare të bankave. Pas kësaj, sulmuesit arrijnë të kryejnë transfere ose pagesa pa autorizimin e klientëve.

Ndryshe, edhe më herët Policia e Kosovës kishte paralajmëruar qytetarët që të mos hapin linke të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna sensitive si PIN, kode verifikimi apo kredenciale të e-bankingut. /Kujdestari.info/

Lexo edhe:

Hakerët sulmojnë klientët e TEB Bank në Kosovë, raportime në rritje në Polici

Lexo më shumë

Të tjera