E mërkurë, 24 Qershor, 2026

Mbi 6.7 miliardë euro në banka- qytetarët e Kosovës po kursejnë më shumë?

Ndaj

Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në bankat komerciale në Kosovë kanë vazhduar të mbesin në nivele të larta edhe gjatë vitit 2026, duke kaluar shifrën prej 6.75 miliardë euro, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shkruan Kujdestari.info.

Raporti i BQK-së për rezervën e obliguar dhe likuiditetin bankar tregon se në prill të vitit 2026, depozitat totale në bankat komerciale kanë arritur në 6 miliardë e 753 milionë euro, një rritje e lehtë prej rreth 0.15 për qind krahasuar me muajin mars.

Sipas të dhënave, vetëm një muaj më parë, në mars 2026, depozitat ishin në nivelin e 6.74 miliardë eurove, ndërsa në shkurt 2026 kishin arritur në 6.79 miliardë euro, niveli më i lartë i evidentuar në muajt e parë të këtij viti.

Nëse krahasohen të dhënat me një vit më parë, vërehet një rritje e ndjeshme. Në janar 2025, depozitat totale në bankat e Kosovës ishin rreth 5.79 miliardë euro, ndërsa në dhjetor 2025 kishin arritur në 6.48 miliardë euro, duke reflektuar rritjen graduale të kursimeve dhe mjeteve financiare të mbajtura në sistemin bankar.

Raporti tregon gjithashtu se bankat komerciale kanë vazhduar të mbajnë nivele të konsiderueshme të rezervave financiare. Në prill 2026, totali i rezervave të aseteve të bankave – që përfshin balancat në BQK dhe paranë e gatshme në banka – arriti në rreth 840.3 milionë euro.

Nga kjo shumë, 681.4 milionë euro ishin të depozituara si balancë në BQK, ndërsa rreth 158.9 milionë euro përbënin para të gatshme (cash) të mbajtura nga bankat.

Po ashtu, të dhënat e BQK-së tregojnë se rezervat e bankave kanë qenë mbi minimumin e kërkuar ligjor. Në prill 2026, bankat kishin rreth 164.9 milionë euro më shumë sesa niveli minimal i rezervës së obliguar, një tregues që reflekton stabilitet relativ të likuiditetit bankar.

Rezerva e obliguar është shuma minimale që bankat duhet ta mbajnë si garanci financiare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar dhe sigurimin e mjeteve për përballimin e kërkesave të klientëve.

Sipas raportit të BQK-së, trendi i muajve të fundit tregon se sistemi bankar në Kosovë vazhdon të mbetet likuid, ndërsa niveli i depozitave vazhdon të mbetet i lartë, pavarësisht luhatjeve të vogla mujore. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera