Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se inflacioni gjatë muajit mars 2026 ka shënuar përshpejtim të dukshëm krahasuar me fillimin e vitit, shkruan Kujdestari.info.
Në muajin mars, inflacioni i përgjithshëm arriti në 6.7%, duke shënuar nivelin më të lartë krahasuar me janarin (5.8%) dhe shkurtin (6.0%). Kjo tregon një trend të vazhdueshëm rritës brenda vetëm tre muajve, me një përshpejtim prej gati 0.9 pikë përqindje nga fillimi i vitit. (DOKUMENT)
Ndërkohë, inflacioni bazë, që përjashton komponentët më të paqëndrueshëm, paraqet një dinamikë më të moderuar. Ai ishte 5.7% në janar, 5.8% në shkurt, ndërsa në mars bie në 5.0%. Kjo diferencë mes inflacionit të përgjithshëm dhe atij bazë sugjeron se rritja e çmimeve në mars është ndikuar më shumë nga faktorë të jashtëm dhe të paqëndrueshëm, sesa nga presionet e brendshme strukturore.
Analiza e këtyre shifrave tregon dy zhvillime paralele, nga njëra anë, një rritje e fortë e çmimeve në nivel total, dhe nga ana tjetër, një stabilizim relativ në komponentin bazë. Ky kombinim zakonisht lidhet me ndikime të përkohshme në treg, si energjia apo ushqimet, që kanë shtyrë inflacionin e përgjithshëm lart, pa u reflektuar plotësisht në inflacionin bazë. /Kujdestari.info/