Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar shkelje konkrete në dy procedura të prokurimit në KOSTT, ku janë dhënë kontrata edhe pse nuk janë respektuar kërkesat teknike dhe ligjore, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit të auditimit, rasti i parë lidhet me tenderin “Furnizimi dhe Instalimi i Baterive Industriale pa Mirëmbajtje”, ku një operator ekonomik është shpallur fitues edhe pse produktet e ofruara nuk përmbushnin specifikimet teknike të kërkuara në dosjen e tenderit. Pavarësisht këtyre devijimeve, oferta është konsideruar e përgjegjshme dhe është lidhur kontratë në vlerë prej 73,168 euro.
Në rastin e dytë, në tenderin “Furnizim me Node Server dhe Hypervizor”, auditimi ka gjetur se në specifikimet teknike janë përfshirë referenca të drejtpërdrejta për një markë të caktuar, pa përdorur shprehjen “ose ekuivalent”, siç kërkohet me ligj. Megjithatë, procedura ka vazhduar dhe është lidhur kontratë në vlerë prej 164,788 euro.
ZKA vlerëson se këto praktika: cenojnë konkurrencën e lirë në treg, favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë, dhe rrisin rrezikun që prokurimi publik të mos sigurojë vlerën më të mirë për paranë publike.
Auditimi thekson se shpërblimi me kontratë i operatorëve që nuk i përmbushin kriteret teknike mund të ndikojë edhe në cilësinë e mallrave të furnizuara, duke dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik.
KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë) është ndërmarrje publike që menaxhon rrjetin e transmisionit të energjisë dhe operon tregun energjetik në vend. Ajo ka rol kyç në stabilitetin e furnizimit me energji dhe në funksionimin e sistemit energjetik./Kujdestari.info/

