E martë, 23 Qershor, 2026

ZKA: Ministria ndau shtesa page pa bazë ligjore, u paguan mijëra euro për detyra që konsiderohen pjesë e punës së rregullt

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur parregullsi në dhënien e shtesave për vëllim të punës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke konstatuar se disa pagesa janë realizuar pa u dëshmuar përmbushja e kritereve të kërkuara me legjislacionin në fuqi, raporton Kujdestari.info.

Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, ministria ka paguar gjithsej 4,619 euro shtesa për vëllim të punës, ndonëse nuk është dëshmuar se janë përmbushur kushtet ligjore të parapara për përfitimin e tyre.

Auditorët kanë evidentuar tri raste konkrete.

Në rastin e parë, një zyrtar ka përfituar shtesë page për angazhime si koordinimi i publikimit të dokumenteve zyrtare, përditësimi i faqes së internetit të ministrisë, takimet me përfaqësues institucionalë, raportimi vjetor dhe mbikëqyrja e menaxherëve të kontratave. Për këtë angazhim janë paguar 1,613 euro, ndërsa marrëveshja është lidhur në gusht të vitit 2025 për një periudhë që përfshinte tërë vitin.

Në rastin e dytë, një zyrtare ka përfituar 1,373 euro shtesë page për organizim të punës, dhënie të këshillave ligjore dhe pjesëmarrje në komisione të brendshme. Sipas auditorëve, marrëveshja ishte lidhur me efekt retroaktiv për periudhën janar–dhjetor 2024.

Rasti i tretë ka të bëjë me një zyrtar që kishte përfituar 1,633 euro për angazhimin si pikë kontaktuese për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe për koordinim e komunikim institucional. Edhe në këtë rast marrëveshja ishte lidhur me efekt retroaktiv, ndërsa pagesat mbulonin 11 muaj.

Sipas ZKA-së, në asnjërin prej rasteve nuk është dëshmuar se janë përmbushur kriteret kumulative të përcaktuara me Rregulloren Nr. 10/2023 për përfitimin e kompensimit për funksion shtesë.

Auditorët theksojnë se lidhja e marrëveshjeve me efekt prapaveprues rrit rrezikun e pagesave të paarsyetuara dhe të pambështetura në dokumentacion të mjaftueshëm.

Raporti vlerëson se situata ka ardhur si rezultat i interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore për shtesat në pagë dhe mungesës së kontrolleve menaxheriale para miratimit të tyre.

Sipas ZKA-së, dhënia e shtesave pa përmbushjen e kritereve ligjore rezulton në shpenzime të parregullta për ministrinë, krijon trajtim jo të barabartë të punonjësve dhe rrit rrezikun e krijimit të praktikave të paqëndrueshme në menaxhimin e pagave.

Për këtë arsye, auditorët kanë rekomanduar që shtesat për vëllim të punës të jepen vetëm në rastet kur dëshmohet qartë rritja reale e ngarkesës në punë dhe kur plotësohen të gjitha kushtet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Menaxhmenti i ministrisë është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera