Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në Komunën e Lipjanit lidhur me pagesat për shpenzimet e energjisë elektrike të stadiumit “Sami Kelmendi”, i cili është dhënë në shfrytëzim Klubit të Futbollit me të njëjtin emër, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit të auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025, Komuna kishte lidhur kontratë me klubin më 1 shtator 2018 për shfrytëzimin e stadiumit për periudhën 2018-2033. Kontrata parasheh qartë se shfrytëzuesi obligohet të mbulojë të gjitha shpenzimet operative, përfshirë energjinë elektrike, furnizimin me ujë, bartjen e mbeturinave dhe shpenzimet tjera që lidhen me funksionimin e objektit.
Megjithatë, auditimi ka konstatuar se më 2 tetor 2025, kryetari i Komunës kishte marrë vendim për pagesën e 7 mijë eurove për mbulimin e një pjese të borxhit të klubit për energji elektrike, ndonëse obligimi financiar, sipas kontratës, i takonte vetë shfrytëzuesit të stadiumit.
Sipas ZKA-së, pagesa ishte arsyetuar me vështirësitë financiare të klubit, i cili nuk kishte qenë në gjendje t’i përballonte detyrimet kontraktuale.
Auditorët vlerësojnë se ky veprim është bërë në kundërshtim me kontratën dhe krijon rrezik për dëmtim të buxhetit komunal. Në raport thuhet se praktika të tilla krijojnë precedent për marrjen e obligimeve që nuk i takojnë komunës dhe cenojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e parasë publike.
Për këtë rast, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që kryetari i Komunës të sigurojë që çdo vendim financiar të jetë në përputhje me kontratat dhe ligjin, duke përfshirë verifikimin paraprak financiar dhe juridik, si dhe të ndërmarrë masa për të parandaluar obligime që mund të dëmtojnë buxhetin komunal. /Kujdestari.info/
