E mërkurë, 24 Qershor, 2026

ZKA alarmon për tregtimin e energjisë në KEK: Vendimet për shitjen e tepricave pa dokumentim të plotë

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar parregullsi serioze në mënyrën e menaxhimit të tepricave të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke ngritur dyshime për nivelin e transparencës dhe kontrollit në procesin e tregtimit të energjisë, shkruan Kujdestari.info.

Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025, ZKA ka konstatuar se KEK nuk ka dokumentuar si duhet vendimmarrjen lidhur me ndarjen e sasive të energjisë që janë tregtuar përmes bursës ALPEX, bursave të tjera apo ankandeve, ndonëse kjo kërkohet sipas procedurave të brendshme të korporatës.

Sipas auditorëve, problemi është evidentuar pas pranimit të raportit të KOSTT-it mbi tepricat e energjisë, ku KEK është dashur të kishte dokumentacion të qartë për mënyrën se si janë marrë vendimet për shitjen e energjisë në treg.

“Ndërmarrja pas pranimit të raportit të KOSTT mbi tepricat e energjisë, nuk ka arritur të dokumentojë vendimmarrjen rreth ndarjes së sasive që do të tregtohen përmes bursës ALPEX/bursave tjera dhe/apo ankandit, sipas procedurave të brendshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Përtej mungesës së dokumentimit, auditorët kanë ngritur shqetësime edhe për mënyrën e zhvillimit të ankandeve të energjisë. Sipas raportit, procesi është realizuar përmes një sistemi email-i Microsoft Exchange Server 2010, i cili tashmë është jashtë mbështetjes teknike dhe nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm sigurie dhe gjurmë auditimi për verifikimin e aktiviteteve.

“Procesi i tregtimit të tepricave të energjisë bazohet në procedura të brendshme dhe realizohet përmes bursave dhe ankandeve, megjithëse mungojnë mekanizma të mjaftueshëm për monitorim dhe kontroll të brendshëm”, thuhet tutje në raport.

ZKA vlerëson se mungesa e dokumentimit dhe kontrolleve të mjaftueshme rrit rrezikun për menaxhim joefektiv dhe kufizon mundësinë e verifikimit të plotë të procesit të tregtimit të energjisë në KEK. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera