Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës, për shkak të mospagesës, sot po vazhdon në një formë tjetër.
Ilmi Gashi nga Sindikata e “Trafikut Urban”, ka thënë se protestën sot do ta vazhdojnë me autobusë.
“Me autobusë do të defilojmë nëpër qytet dhe do të shkojmë pranë objektit të Komunës t’i ndalojmë autobusët, për sat ë kemi mundësi që të mos e ndalojmë lëvizjen e qytetarëve aty apo të makinave të tjera”, është shprehur Gashi në një intervistë për emisionin “Sot”.
Sipas Sindikatës së “Trafikut Urban” tash e dy muaj punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë paga, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.
Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.