E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Shkrimi kundër UÇK-së, Basha distancohet: E çmoj luftën, hulumtova veç për islamin fundamentalist

Ndaj

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka cilësuar si “raportim të rremë” lajmet që publikuan një hulumtim në bashkautorësi të tij, e i cili fliste kundër UÇK-së.

Në një konferencë për media, Basha ka theksuar se në punimin e tij nuk përmendet UÇK-ja.

“Dua të sqaroj para qytetarëve për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 si student kemi dorëzuar hulumtime për publikim. Asokohe kam bërë hulumtim për cështjen e depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por që gjithmonë ka pas në fokus Kosovën. Kam dërguar hulumtimin që lidhet vetëm me këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime, lidhur me punimin në fjalë. Edhe tema e diplomës që kam master në vitin 2013 e publikuar e mbulon vetëm këtë pjesë, asnjë fjalë të vetme aty nuk e gjen UÇK, por mbulon vetëm temën e ‘depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore me fokus Kosovën’ ”, ka thënë Basha

Basha pretentoi se po sulmohet me “të pavërteta” nga caqe të caktuara dhe tha se po sulmohet sikurse ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“Të njëjtit edhe presidentin historik Rugova dikur e quanin tradhtar. Po të njëjtit vazhdojnë me ofendime ndaj kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë “njeri i Serbisë” dhe ju lutem mos harroni se i keni të njëjtat burime, të njëjtat qarqe që kanë lobuar edhe për ndarjen e Kosovës e të njëjtit e kanë krijuar edhe Listën Serbe, kanë lobuar për krijimin e Listës Serbe. Është shumë me rëndësi për qytetarët e Republikës me pa se nga vijnë këto sulme”.

“Duhet kuptuar që unë s’jam ndal asnjëherë dhe nuk do të ndalem dhe puna ime vlerësohet për këto gjashtë vite për secilin që do me pa për punën që kam bërë. Në asnjë moment s’kam marrë asnjë vendim as një veprim që shkon kundër interesave të kësaj Republike”.

Ai ka mohuar se në pjesët ku folët për UÇK-në në hulumtimin e publikuar më 2012 nuk ka kontribuuar, duke thënë se një kolege e tij ka qenë autore.

“Edhe tema ime e diplomës që kam master gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë. Asnjë fjalë të vetme s’e gjeni për UÇK-në, por për depërtimin e islamit fundamentalist. Të njëjtën e thotë edhe profesoresha në fakultetin ku kam studiuar për Bachelor dhe ku kam dërguar me email dhe e cila personalisht ka dërguar një email demantues te mediat se unë kam dorëzuar për publikim vetëm këtë pjesë të hulumtimit. Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë. S’kam shkruar asnjë fjalë e fjali nga kapitujt tjerë”.

“Këto akuza dhe lidhjet e mia me raportin e Dick Martyt janë shumë të ulëta dhe lënduese për mua, por edhe qytetarët e Kosovës sepse sa për dijeninë tuaj, unë ë vitin 2010 kam publikuar shkrim, ku kam bërë thirrje që të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë si popull”.

Lexo më shumë

Të tjera