Rritja e çmimit të naftës që kulmoi në mars 2026 nuk u reflektua vetëm në faturat e qytetarëve, por edhe në një rritje të ndjeshme të të hyrave për shtetin. Të dhënat e Doganës së Kosovës, të përpunuara nga Kujdestari.info, tregojnë qartë këtë kontrast ku wshtw gjetur më shumë pagesa në pompë, më shumë TVSH në buxhet.
Në janar 2026, Kosova importoi rreth 69.1 milionë njësi naftë, me një vlerë prej 35.0 milionë euro, duke gjeneruar 10.5 milionë euro TVSH për shtetin.
Në shkurt, ndonëse sasia bie në 66.1 milionë (rreth 3 milionë më pak se janari), vlera rritet në 36.5 milionë euro, por TVSH-ja mbetet pothuajse në të njëjtin nivel, 10.3 milionë euro, një rënie e lehtë prej rreth 140 mijë euro.
Por ndryshimi i madh ndodh në mars. Sasia rritet në 78.1 milionë, pra rreth 12 milionë më shumë se shkurti, por ajo që bie në sy është kërcimi i fortë i vlerës në 65.7 milionë euro, gati 30 milionë euro më shumë brenda një muaji.
Si pasojë direkte, edhe TVSH-ja shpërthen në 16.2 milionë euro, që do të thotë:
rreth 5.8 milionë euro më shumë se janari
dhe mbi 5.8 milionë euro më shumë se shkurti
Pra, vetëm brenda një muaji, shteti inkason mbi 50% më shumë TVSH nga nafta.
Nëse krahasohet më gjerë, nga janari në mars: sasia rritet vetëm rreth 13%, ndërsa TVSH-ja rritet mbi 53%
Kjo tregon qartë se rritja e çmimit, e jo sasia, është faktori kryesor që po mbush arkën e shtetit. /Kujdestari.info/