Paradoksi i mosfunksionimit të tregut të ndërtimeve sipas kërkesës dhe ofertës, që është karakteristikë e ndërtimtarëve në shtetet e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti në Kosovë dhe në Shqipëri, vazhdon të mos i ndahet tregut të ndërtimeve. Ndërtimtarët e të dy vendeve shqiptare, thjesht, presin që çmimet e metrit katror të banesave dhe të sipërfaqeve të tjera ndërtimore (hapësirave biznesore) të vijojnë rritjen edhe përkundër rënies së ndjeshme të kërkesave për shitblerje të banesave.
Tani, kur po përfundon muaji i dytë i krizës së naftës, e shpërfaqur ndjeshëm edhe në shumicën absolute të sektorëve ekonomikë e zhvillimorë, por edhe në sektorët që trajtojnë situatat sociale në të dy shtetet shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, është fakt i padiskutueshëm se në të dy vendet ka rënë ndjeshëm kërkesa për të blerë banesë, por edhe paluajtshmëri të tjera, qofshin ato objekte biznesesh, apo thjesht toka të ndryshme. Nuk ka më hov shitblerjeje në sektorin e ndërtimtarisë në shtetet shqiptare.
Shtresat e kamura kaherë i kanë plotësuar nevojat për sipërfaqe banimi dhe për bizneset e tyre dhe tani ruajnë paratë për ditë më të mira. Diaspora, po kështu, janë stërngopur me banesat në vendlindje, të cilat më shumë u rrijnë nën dry dhe me dritare thuajse gjithnjë me roleta të mbyllura dhe tani për tani nuk do të dëgjojnë për oferta banesash, çfarëdo qofshin ato. Ndërsa për shumicën e popullatës që u përket shtresave të mesme, dhe sidomos atyre të varfra, blerja e një banese në Prishtinë, por edhe në Tiranë mbetet vetëm një ëndërr dhe shpresë e parealizueshme, për shkak të çmimeve enormisht të larta, por edhe të varfërisë së rritur si pasojë e krizës së çmimeve të naftës.
Dhe një paradoks që është karakteristikë e ndërtimtarëve në shtetet e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdon të mos i ndahet tregut të ndërtimeve. Logjikisht, por edhe në shumë teori tregu, kur ulet kërkesa do të duhej të ulen edhe çmimet. Ligjet e tregut në kapitalizëm e kanë të vijëzuar dhe të veçuar parimin e ofertës dhe kërkesës, gjegjësisht funksionimin e tregut në bazë të kërkesës dhe të ofertës. Por, në Kosovë dhe në Shqipëri, vazhdon të ndodhë e kundërta edhe pas krizës së ashpër dhe me pasoja të shumta.
Ndërtimtarët e të dy vendeve, thjesht, presin që çmimet e metrit katror të banesave dhe të sipërfaqeve të tjera ndërtimore (hapësirave biznesore) të vijojnë rritjen. Ndër agjencionet e shitblerjes së paluajtshmërive, por edhe zyrtarë të Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, duke përmendur çmimet e ngritura ndjeshëm të karburanteve në tregjet ndërkombëtare dhe në tregun e vendit, paralajmërojnë ngritje çmimesh të hekurit (armëbetonit), një nga produktet më me ndikim në ecuritë e kostos në sektorin e ndërtimit.
Sipas tyre, tashmë është paralajmëruar nga shumë prodhues ngritje e çmimit të hekurit deri në 40 për qind. Çmimi i hekurit brenda muajit të fundit (gjysmës së dytë të marsit dhe gjysmës së parë të prillit) edhe në Kosovë ka një tendencë rritjeje rreth 4-5 për qind brenda një jave. Mirëpo, pronarë të kompanive ndërtuese, në kushte anonimiteti i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ka nisur ngritja e çmimeve edhe të materialeve të tjera të domosdoshme për ndërtim, siç janë produktet nga duraluminet, nga plastika por edhe të çimentos dhe domosdo edhe të betonit.
Ndërkohë, që është e ditur se kostoja e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit në Kosovë është ngritur në përmasa me ndikim të madh në çmimin final të ndërtimeve (të banesave, të ambienteve afariste në kuadër të ndërtesave me banesa), qëkur është bërë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën. Ndërtimtarët e Kosovës frikohen se si pasojë e krizës së çmimeve të naftës së shpejti do të pasojë ngritje enorme e çmimit të betonit.
Ka paralajmërime se çmimi i deritashëm i një metri kub të betonit prej 70 euro të shkojë në 100 euro. Dhe, kjo ngritje, sipas tij, nuk është një ngritje sa për të qenë, ose e pa ndikim në koston e gjithmbarshme të ndërtimit final. Bëhet fjalë për çmim të ngritur afërsisht 50 për qind.
Këto çmime të ngritura dhe të paralajmëruara që të ngriten akoma më shumë janë, që tani, një presion evident mbi koston e prodhimit final të ndërtimtarëve. Por, gjithsesi, do të lëkundin edhe më shumë trendet dhe balancat e tregut të shitblerjes së patundshmërive, duke sinjalizuar një rritje të re të pashmangshme të çmimeve për metër katror të ndërtimeve.
Një ndërtimtar i njohur i vendit, që kërkon anonimitet, i ka thënë Buletinit Ekonomik se pasojat e çmimeve të karburanteve janë evidente në sektorin e ndërtimit në Kosovë. Sipas tij, tani është frenuar ndjeshëm trendi i ndërtimeve të shumta. Është reduktuar shumë vëllimi i ndërtimeve të reja në Prishtinë dhe në shumë qendra të tjera urbane të vendit.
Thjesht, për shkak të çmimeve të ngritura të materialeve të ndërtimit, që kanë kushtëzuar ngritjen e domosdoshme të metrit katror të banesave, ka rënë ndjeshëm edhe shitblerja e banesave. Në këto ditë të krizës së naftës, sipas ndërtimtarit, nuk ka thuajse fare shitblerje të paluajtshmërive.
Sipas një ndërtimtari tjetër, po kështu goxha i njohur për ndërtime të shumta në Prishtinë dhe në qendrat e tjera komunale përreth kryeqytetit, që do anonimitetin, qëkur ka filluar lufta në Lindjen e Mesme dhe qëkur janë shpërfaqur pasojat e para të kësaj lufte, në Prishtinë ndërtimtaria praktikisht është heshtur dhe nuk ka ndonjë punishte të madhe duke u ndërtuar diçka.
Sipas tij, po punohet, aty-këtu, në disa objekte të nisura më herët si rrjedhojë e përfshirjes direkte të sektorit të ndërtimtarisë në krizën e çmimeve të naftës. Edhe këtyre ditëve janë të pakta punishtet dhe projektet në ndërtim, ku së paku deri tani, ishin të angazhuar me dhjetëra, madje edhe me qindra punonjës dhe dhjetëra nënkontraktorë.
Ndërsa, se ku do të arrijnë çmimet e një metri katror të ndërtimeve të reja pas valës më të fundit të ngritjes së çmimeve të materialeve kryesore të ndërtimit, tani për tani nuk ka përgjigje as nga ndërtimtarët kosovarë, as nga vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në vend.
Por, të gjithë e theksojnë faktin se të gjitha çmimet e ngritura të këtyre materialeve, dhe ato të paralajmëruara për t’u ngritur së shpejti, janë pashmangshëm pjesë e kostos së pritshme të një niveli tjetër të një metri katror ndërtimi të finalizuar.
Operatorët e tregut në Shqipëri i kanë thënë medias së vendit se transporti, si rrjedhojë e shtrenjtimit të naftës nga kriza në Lindjen e Mesme, është reflektuar në kostot e materialeve, por efekti zinxhir ka qenë më i shpejtë sesa ata e prisnin.
Çmimet e apartamenteve edhe në Shqipëri janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në 6-mujorin e parë të 2025-s, të dhënat e Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë treguan se çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 41.7% në krahasim me 2024. Aktualisht, në kryeqytet, çmimi mesatar i apartamenteve i ka kaluar 2 mijë euro për metër katror.
Për dallim nga Kosova, ku ka rënë ndjeshëm intensiteti i ndërtimeve, në Shqipëri vazhdon të ndërtohet vrullshëm. Tirana dhe zonat bregdetare, siç raportohet, janë kthyer në kantiere ndërtimi. Në zonën e Durrësit dhe në Golem po ndërtohet kudo, në jug kodrat po kthehen në fshatra turistike, në emër të kërkesës nga turistët.
Dhe çmimet po rriten vazhdimisht dhe askush nuk mund të parashikojë në këtë situatë se çfarë do të ndodhë me këtë treg në të ardhmen. /Buletini Ekonomik