Biznesmeni dhe ish politikani kosovar, Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij të afërt, Valon Lluka, duke e akuzuar për veprime të rënda që lidhen me projektin e Aeroporti i Vlorës, raporton Kujdestari.info.
Në një status publik, Pacolli ka deklaruar se kompania “Mabco”, e cila sipas tij zotëron 98 për qind të kuotave të projektit dhe është investitori kryesor, po përballet me “presione dhe vendime të përkohshme gjyqësore”, të cilat ai i ka cilësuar si të padrejta dhe të paligjshme.
Ai ka pretenduar se këto zhvillime, sipas tij, lidhen me veprime të mëparshme të Valon Llukës, të cilin e akuzon për “mashtrim, shkelje besimi dhe veprime të pamoralshme” gjatë periudhës së bashkëpunimit në grupin Mabetex.
Pacolli ka thënë se Lluka ka mbajtur pozita të ndryshme brenda strukturave të kompanisë për rreth 18 vite dhe është pasuruar gjatë këtij bashkëpunimi, ndërsa më pas, sipas tij, ka vepruar kundër interesave të kompanisë.
Në reagimin e tij, Pacolli ka ngritur edhe akuza për tjetërsim prone dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se veprimet janë mbajtur të fshehura për disa muaj para se të zbuloheshin. /Kujdestari.info/