Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e udhëhequr nga ministrja Rozeta Hajdari, ka mbajtur një numër zyrtarësh në pozita ushtrues detyre përtej afatit maksimal të lejuar me ligj, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), raporton Kujdestari.info.
Sipas raportit të auditimit, ligji përcakton se pozitat e lira nuk mund të mbulohen me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet. Megjithatë, nga të dhënat e Departamentit të Burimeve Njerëzore rezulton se MINT kishte 29 pozita të mbuluara me vendime për ushtrues detyre ose zëvendësim.
Auditorët identifikuan nëntë raste ku zyrtarët kishin ushtruar detyrën në të njëjtat pozita për më shumë se dy vjet. Në disa raste, pozitat ishin mbajtur nga zëvendësues për periudha prej 30 deri në 36 muaj, duke tejkaluar afatin e përcaktuar me ligj.
Raporti vëren gjithashtu se vendimet për caktimin e këtyre zëvendësuesve ishin marrë gjatë vitit 2023 mbi bazën e një legjislacioni të shfuqizuar dhe pa u harmonizuar me ndryshimet e reja ligjore që kanë hyrë në fuqi.
Sipas ZKA-së, situata ka ardhur si pasojë e mungesës së procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitave të rregullta, si dhe mosrishikimit të vendimeve ekzistuese në përputhje me kornizën e re ligjore.
Auditorët paralajmërojnë se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afatit ligjor krijon rrezik që funksione të rëndësishme të administratës publike të ushtrohen pa përfundimin e procedurave të rregullta konkurruese.
Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që ministria të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për plotësimin e pozitave të lira dhe të shmangë mbajtjen e pozitave të rregullta me ushtrues detyre përtej afatit të lejuar.
Menaxhmenti i ministrisë është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimin e auditorit. /Kujdestari.info/
