E mërkurë, 15 Prill, 2026

Mbi 4.3 milionë m² ndërtim në katër vjet: Prishtina u “betonizua” sa një Ulpianë e tërë

Ndaj

Rasti i Veternikut nuk është i izoluar. Ai po ndodh tash kur ndërtimi në Prishtinë ka marrë përmasa të mëdha, duke e kthyer qytetin në një kantier të hapur në disa pika njëkohësisht, shkruan Kujdestari.info.

Kur Përparim Rama erdhi në krye të Prishtinës si arkitekt nga Londra, pritjet ishin për një qytet më të gjelbër, me më shumë hapësira publike dhe më pak beton. Në terren, ritmi i ndërtimit nuk është ngadalësuar, përkundrazi, në disa raste është përshpejtuar.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë lëshuar 160 leje ndërtimi, çka në praktikë nënkupton të paktën po aq punishte aktive në terren sot në Prishtinë, pa përfshirë projektet e nisura në vitet paraprake apo ato që mund të shtohen ndërkohë.

Sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar Kujdestari nga Komuna e Prishtinës, këto leje përfshijnë mbi 1.5 milionë metra katrorë ndërtim vetëm në vitin 2025, ndërsa nga to janë inkasuar mbi 20 milionë euro në buxhetin komunal.

Në vitin 2024 janë lëshuar 168 leje ndërtimi me 948,659 metra katrorë dhe 9.6 milionë euro të hyra.
Në vitin 2023 janë lëshuar 152 leje ndërtimi me 847,995 metra katrorë dhe 9.4 milionë euro të hyra.
Ndërsa në vitin 2022, komuna ka lëshuar 177 leje ndërtimi me gjithsej 1,008,703 metra katrorë, nga të cilat janë inkasuar 10,938,551.07 euro.

Në total, gjatë katër viteve të fundit, Komuna e Prishtinës ka lëshuar 657 leje ndërtimi, me mbi 4.3 milionë metra katrorë ndërtim dhe rreth 45.5 milionë euro të hyra në buxhet.

Ky volum ndërtimi bëhet më i dukshëm kur përkthehet në hapësirë konkrete urbane. Për nga sipërfaqja, ndërtimi i realizuar në këtë mandat e tejkalon madhësinë e një lagjeje të tërë si Ulpiana, që ka rreth 4.2 milionë metra katrorë.

Ndërkohë, të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të publikuara në Regjistrimin e Popullsisë 2024, tregojnë se në Prishtinë janë gjithsej 61,336 njësi banimi, prej të cilave 25,195 janë të pabanuara, mbi 41% e totalit.

Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja në nivel vendi, që sillet rreth 33%, duke vënë në pah një kontradiktë të qartë mes ritmit të ndërtimit dhe numrit të lartë të banesave të pabanuara. Sic shihet, rritja e ndërtimit nuk reflekton domosdoshmërisht edhe nevojë reale për banim. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera