Pas muajsh përplasjeje mes palëve për kontrollin dhe administrimin e Aeroportit të Vlorës, kompania MABCO, e lidhur me biznesmenin kosovar Behgjet Pacolli, ka njoftuar se nesër do të rifillojë punimet në kantier.
Pacolli ka bërë të ditur se MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve, do të rikthehet në punë, duke pretenduar se ky veprim bazohet në vendimin e Gjykatës së Lartë dhe në vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026.
Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka nisur mes MABCO-s dhe kompanisë së biznesmenit kosovar Valon Ademi, ku palët kanë pasur pretendime të kundërta lidhur me të drejtat mbi projektin dhe administrimin e tij. Çështja ka kaluar edhe në procedura gjyqësore, ndërsa gjatë kësaj periudhe punimet në kantier janë ndërprerë.
Në reagimin e tij, Pacolli ka deklaruar se rikthimi në kantier do të bëhet në përputhje me vendimet e institucioneve dhe me kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Nesër, MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rifillojë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës. Ky veprim do të ndërmerret në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe me vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s, të datës 18/06/2026, si dhe në respekt të kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE)”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka akuzuar se punimet janë penguar për disa muaj dhe ka pretenduar se në këtë proces janë përfshirë edhe struktura të Policisë së Shtetit.
“Pas një bllokade disamujore dhe përpjekjeve të personave që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë tagër, punimet u penguan në mënyrë të dhunshme. Këta persona, madje me mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit, ndërprenë aktivitetin në kantier dhe sekuestruan në mënyrë arbitrare pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve”, ka deklaruar ai.
MABCO ka thënë se synimi është vazhdimi dhe përfundimi sa më i shpejtë i punimeve, në mënyrë që Aeroporti i Vlorës të hyjë në operim. /Kujdestari.info/
Kompania e familjes së Valon Ademit fitoi 116 kontrata publike me mbi 122 milionë euro në Shqipëri
‘Mallkimi’ i aeroportit të Vlorës: Si u favorizua koncesionari gjatë miratimit të kontratës