Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht KIESA, ka njoftuar bizneset se është hapur thirrja për aplikim në kuadër të Programit të Tregut të Vetëm të Bashkimit Evropian (EU Single Market Programme), përmes projektit PHOENIX 4.0.
Kjo thirrje, sipas njoftimit nga KIESA, ka për qëllim mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) nga sektori i turizmit, përmes një skeme grantesh që synon forcimin e kapaciteteve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshtatjen me zhvillimet e reja në treg.
PHOENIX 4.0 është një projekt 34-mujor i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Tregut të Vetëm (SMP-COSME). Ky projektt synon të përkthejë objektivat e dokumentit “Transition Pathway for Tourism” në zgjidhje konkrete dhe praktike për ndërmarrjet e sektorit të turizmit, duke i mbështetur ato në procesin e transformimit të gjelbër dhe digjital.
Qëllimi kryesor i projektit thuhet se është krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm dhe inovativ, që u mundëson bizneseve të turizmit të përballen me sfidat aktuale dhe të ardhshme, si dhe të rrisin potencialin e tyre për zhvillim afatgjatë.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 18 mars 2026, deri në orën 17:00. Bizneset e interesuara inkurajohen të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar dhe të përfitojnë nga kjo mundësi mbështetëse. /Kujdestari.info/