E mërkurë, 6 Maj, 2026

Gjykata rrëzon pezullimin e tenderit të KEK-ut, kërkon vendim më të qartë nga OSHP

Ndaj

Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim lidhur me një prej kontesteve të profilit të lartë në prokurimin publik, duke refuzuar kërkesën e kompanisë “Grami SHPK” për pezullimin e zbatimit të kontratës së KEK-ut për furnizim me gëlqere të hidratuar, ndërsa njëkohësisht ka konstatuar parregullsi në vendimmarrjen e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan Kujdestari.info.

Sipas aktgjykimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, kolegji i përbërë nga gjyqtarët Krenar Berisha, Fisnik Nuli dhe Alajdin Tershnjaku, ka aprovuar pjesërisht ankesat e OSHP-së dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke ndryshuar pjesën e vendimit të shkallës së parë që kishte të bënte me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OSHP-së. (DOKUMENT)

Në aktgjykim thuhet se refuzohet propozimi i kompanisë “Grami SHPK” për pezullimin e vendimit të OSHP-së të datës 2 maj 2025, që kishte të bënte me aktivitetin e prokurimit “furnizim me gëlqere të hidratuar”.

Megjithatë, gjykata nuk i ka pranuar plotësisht pretendimet e palëve të paditura, pasi ka lënë në fuqi pjesë të aktgjykimit të shkallës së parë, ku ishte konstatuar se vendimi i OSHP-së ishte i paqartë dhe kundërthënës.

Sipas dokumentit gjyqësor, kompania “Grami SHPK” kishte paditur OSHP-në dhe KEK-un, duke kundërshtuar vendimin për tenderin e furnizimit me gëlqere të hidratuar dhe duke pretenduar se ishte shpallur padrejtësisht ofertues i papërgjegjshëm. Kompania kishte kërkuar rikthimin e çështjes në rigjykim, ose kompensim për dëmin dhe fitimin e humbur.

Në padi, “Grami SHPK” kishte pretenduar se KEK kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “Geo Conex&Dini”, ndërsa kishte shpërfillur një masë sigurimi të vendosur më herët nga gjykata. Kompania kishte argumentuar se zbatimi i kontratës do t’i shkaktonte dëme të mëdha financiare dhe do të krijonte precedent të gabuar në prokurim publik.

Nga ana tjetër, OSHP dhe KEK kishin kundërshtuar kërkesën për pezullim, duke deklaruar se kompania nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderit dhe se mungonte dokumentacioni i kërkuar në dosjen e saj.

Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë, pasi paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm, si dhe nuk ka dëshmuar se pezullimi i kontratës nuk do të cenonte interesin publik.

Në arsyetim, kolegji i gjykatës ka theksuar se aktiviteti i prokurimit nga KEK konsiderohet aktivitet i rregullt publik dhe se dëmi potencial i pretenduar nga kompania paditëse nuk është konkretizuar mjaftueshëm.

Megjithatë, gjykata ka kërkuar nga OSHP që në rivendosje të nxjerrë një vendim më të qartë administrativ, duke sqaruar saktë cilat pretendime të kompanisë janë aprovuar apo refuzuar në procedurën e tenderit për furnizim me gëlqere të hidratuar për KEK-un. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera