E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Ekspertja e prokurimit: Kërkesat absurde në tenderë po mbyllin garën në vend

Ndaj

Ekspertja e prokurimit dhe njëkohësisht njëra nga hartueset e legjislacionit të prokurimit në Kosovë, Vlora Ferizi, ka ngritur shqetësime për kriteret kufizuese që po vendosen në tenderët publikë, shkruan Kujdestari.info.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo ka marrë si shembull një rast konkret ku në dosjen e tenderit është kërkuar që inxhinieri i operatorit ekonomik të jetë i certifikuar me FIDIC.

Sipas saj, kjo kërkesë është jo vetëm jorealiste, por edhe diskriminuese për tregun vendor. “Seriozisht? Kush në Kosovë e ka këtë certifikatë? A ofrohet ndonjë program i tillë këtu? A ka ndonjë institucion që organizon trajnime zyrtare për FIDIC?”, pyet Ferizi.

Ajo sqaron se FIDIC (Federata Ndërkombëtare e Inxhinierëve Konsulentë) nuk lëshon certifikata individuale, ndërsa trajnimet zyrtare të akredituara ofrohen vetëm jashtë vendit ose online, me kosto të larta dhe qasje të kufizuar për profesionistët në Kosovë.

“Realiteti në Kosovë është se me shumë gjasë askush nuk e ka këtë certifikatë. Ose ndonjë individ i rrallë që ka pasur mundësi të ndjekë trajnim jashtë vendit. Pra, kur në një tender vendor vendoset një kriter i tillë, kjo nuk është kërkesë për cilësi, por recetë për përjashtim”, thekson ajo.

Ferizi apelon që kritere të tilla të rishqyrtohen nga KRPP, OSHP dhe të kritikohen nga Oda e Inxhinierëve të Kosovës, duke shtuar se kriteret teknike nuk duhet të përdoren si mjet për mbylljen e garës.

“Po bëhen gjithnjë e më të shpeshta rastet kur kriteret teknike nuk përputhen me realitetin e tregut, janë të formuluara në mënyrë selektive dhe shërbejnë për të mbyllur garën, jo për të përzgjedhur profesionistët më të mirë. Ky nuk është standard teknik. Ky është filtrim për interesa të caktuara”, përfundon reagimin Ferizi.

Pra, në fund të ditës, ajo që po thotë ekspertja është kjo: Kur një institucion publik vendos në tender kushte që realisht nuk mund të plotësohen nga shumica e kompanive në Kosovë, siç është rasti me certifikatën FIDIC që pothuajse askush nuk e ka, atëherë gara nuk është e hapur dhe e ndershme. Një tender i tillë nuk bëhet për të zgjedhur ofertuesin më të mirë, por për ta mbyllur konkurrencën dhe për t’ia lënë punën dikujt që është “paracaktuar”. Është njësoj sikur të shpallësh konkurs për punë, por të kërkosh një diplomë që nuk ekziston fare në vend. Në këtë mënyrë, sipas Ferizit, tenderët nuk po shërbejnë për zhvillimin e tregut lokal, por vetëm për interesa të caktuara. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera