Nën dyshimet për falsifikim dhe manipulim të policës së sigurimit në tenderin për ndërtimin e Stadiumit të ri në Pejë, Organit Shqyrtues të Prokurimit ka diskualifikuar kompaninë “OE Nika Pro- Ing Sh.p.k” nga të gjitha procedurat e prokurimit publik për një periudhë gjashtëmujore, shkruan Kujdestari.info.
Një vendim i rëndë i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka tronditur procesin e tenderimit për ndërtimin e Stadiumit të ri në Pejë, pasi operatori ekonomik “OE Nika Pro- Ing Sh.p.k” është diskualifikuar për gjashtë muaj nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik në Kosovë, nën dyshimet për ndërhyrje dhe falsifikim të policës së sigurimit të ofertës.

Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit të inicuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Stadiumit të ri në Pejë”, projekt që synon ndërtimin e stadiumit sipas standardeve të UEFA-s, në përputhje me Kategorinë III të infrastrukturës sportive. (DOKUMENT)
Sipas vendimit të publikuar nga Paneli Shqyrtues i Prokurimit, autoriteti kontraktues kishte ngritur dyshime gjatë fazës së vlerësimit të ofertave, pasi në policën e sigurimit të dorëzuar nga kompania ishin evidentuar mospërputhje. Për këtë arsye, Ministria kishte kërkuar sqarime shtesë nga kompania e sigurimeve “Sigkos”, e cila kishte konfirmuar se polica e sigurisë nuk përputhej me të dhënat origjinale të kompanisë.
Në dokument thuhet se pas verifikimit të QR kodit të policës së sigurimit me numër përkatës, rezultoi se dokumenti ishte “i modifikuar/falsifikuar”, ndërsa kompania e sigurimeve kishte deklaruar se ajo policë ishte valide për Ministrinë e Mbrojtjes dhe jo me të dhënat që ishin paraqitur në ofertën e operatorit ekonomik.
“Autoriteti kontraktues pretendon se operatori ekonomik ka ndërhyrë në policën e sigurimit të ofertës”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OSHP-së.
Një tjetër element që rëndoi pozitën e kompanisë ishte edhe fakti se, sipas OSHP-së, “OE Nika Pro- Ing Sh.p.k” nuk kishte kthyer përgjigje ndaj kërkesës së institucionit për të paraqitur argumentet dhe faktet e saj lidhur me pretendimet e ngritura nga Ministria e Kulturës.
Paneli Shqyrtues ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 99.2 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili parasheh masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë që paraqesin dokumente të rreme apo të falsifikuara gjatë procedurave të tenderimit publik.
Në vendim theksohet se diskualifikimi nga prokurimi publik nënkupton ndalimin e pjesëmarrjes së operatorit ekonomik në të gjitha fazat e procedurave tenderuese, duke përfshirë aplikimin, ofertimin dhe paraqitjen e ankesave, deri në përfundimin e afatit ndëshkues.
Si rezultat, OSHP-ja ka vendosur që kompania të përjashtohet nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë prej gjashtë muajsh, konkretisht nga 5 maji 2026 deri më 4 nëntor 2026. /Kujdestari.info/