Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar parregullsi në një kontratë publike me vlerë të parashikuar prej 3 milionë eurosh të Komunës së Prizrenit, duke konstatuar se ishte përdorur procedurë e gabuar e prokurimit, raporton Kujdestari.info.
Sipas Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2025, gjetja është përfshirë në kapitullin e mos-pajtueshmërisë me legjislacionin e prokurimit publik.
Auditori ka konstatuar se në kontratën “Rehabilitimi dhe revitalizimi i hapësirave në zonën e parë të objekteve të mbrojtura, kryesisht në pjesën e vjetër të qytetit të Prizrenit”, me çmim për njësi prej 5,978.10 euro dhe me vlerë të parashikuar prej 3 milionë eurosh, komuna kishte përdorur llojin e kontratës publike kornizë me çmim për njësi për punë.
Sipas ZKA-së, kontratat publike kornizë me çmim për njësi mund të përdoren vetëm për furnizime dhe shërbime, por jo edhe për punë ndërtimore.
“Gabimisht ishte përdorur lloji i kontratës publike kornizë me çmim për njësi për punë. Kontratat publike kornizë me çmim për njësi mund të udhëhiqen vetëm për llojet e kontratave për furnizime dhe shërbime, por jo edhe për punë”, thuhet në raportin e auditorit.
Auditori vlerëson se në rastin e projekteve kapitale për punë ndërtimore, sasitë dhe paramasat duhet të planifikohen dhe kontraktohen paraprakisht në bazë të projektit ekzekutiv dhe parallogarisë së saktë.
Sipas raportit, kjo situatë ka ardhur si rezultat i mungesës së funksionimit të kontrolleve të brendshme, që nga faza e inicimit të kërkesës nga njësia kërkuese deri te Zyra e Prokurimit, për të siguruar respektimin e kërkesave ligjore që lidhen me kontratat publike për punë.
ZKA paralajmëron se përdorimi i gabuar i llojit të kontratës mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomicitetin dhe transparencën e projektit.
“Përdorimi i gabuar i llojit të kontratës publike kornizë me çmim për njësi për punë, në raport me projekte me paramasa të sasive të planifikuara-kontraktuara, mund të ndikojë që realizimi i projektit të jetë jo ekonomik dhe jo transparent në raport me konkurruesit apo palët e interesit”, thekson raporti.
Për këtë arsye, auditori ka rekomanduar që kryetari i Komunës së Prizrenit të sigurojë që në rastet e kontraktimit të projekteve kapitale për punë të përdoret procedura e duhur e prokurimit dhe që kontratat të bazohen në paramasa dhe parallogari të sakta të sasive të planifikuara sipas projektit kryesor.
Gjetja është njëra nga pesë çështjet kryesore të mos-pajtueshmërisë që kanë ndikuar në opinionin e auditimit për Komunën e Prizrenit në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025. /Kujdestari.info/