Teksa Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi së fundmi se brenda muajit maj ministria e Financave do të ketë gati udhëzimet dhe aktet nënligjore të ligjeve për Marrëveshjen e paqes Fiskale dhe fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) ka “ngritur” radarët për paqen fiskale.
Në një shkresë që u është dërguar subjekteve që raportojnë pranë saj, Agjencia e Inteligjencës Financiare, që është institucioni i cili shtron funksionet e autoritetit përgjegjës në përputhje me ligjin nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ka paralajmëruar që të kenë kujdes me zbatimin e ligjit Nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.
AIF ka informuar të gjitha subjektet, se ligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, nuk ofron asnjë lloj imuniteti administrativ ose penal ndaj veprimeve të tatimpaguesve për pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo për çdo vepër tjetër penale, që lidhet me origjinën e jashtëligjshme të fondeve apo pasurisë dhe për rrjedhojë nuk cenon zbatimin e asnjë prej detyrimeve të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.
AFI u ka vënë në dispozicion subjekteve raportuese dhe një udhëzim që ajo ka hartuar që në dhjetor për Marrëveshjen e Paqes Fiskale (bashkëlidhur).
Qëllimi i këtij udhëzuesi, është të sqarojë për subjektet e ligjit nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” (PP/FT), i ndryshuar, detyrimet e tyre në lidhje me zbatimin e legjislacionit PP/FT dhe qëndrimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), në lidhje me procedurën e marrëveshjes së deklarimit vullnetar.
Qëllimi i këtij udhëzuesi, është të sqarojë për subjektet e ligjit nr.9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” (PP/FT), i ndryshuar, detyrimet e tyre në lidhje me zbatimin e legjislacionit PP/FT dhe qëndrimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare m (AIF), në lidhje me procedurën e marrëveshjes së deklarimit vullnetar.
Bazuar dhe në procese të ngjashme në nivel ndërkombëtar, ekziston një rrezik i shtuar që klientë të caktuar mund ta keqpërdorin procedurën e deklarimit vullnetar, për të ligjëruar fonde që burojnë nga vepra penale, duke paraqitur të dhënat apo dokumentacionin e marrëveshjes së lidhur me Autoritetin Tatimor. Ky rrezik duhet të merret në konsideratë nga ana e subjektit, në zbatimin e masave parandaluese dhe në varësi të klientelës që përfshihet në këtë proces, të rishikojë dhe dokumentin e vlerësimit të riskut PP/FT.
Në këtë kuadër, të gjitha marrëdhëniet e biznesit ekzistuese apo dhe ato të reja që subjektet vendosin me klientët e tyre, ju nënshtrohen të gjitha detyrimeve të Vigjilencës së Duhur ndaj klientit, Njihe Klientin Tënd, identifikimit dhe verefikimit të klientit dhe pronarit përfitues, monitorimit të marrëdhënies së biznesit dhe transaksioneve përkatëse, analizimit të informacionit, raportimit të aktivitetit të dyshimtë (RAD) dhe raportimit të transaksioneve në para fizike (RTPF) dhe mbajtjes së të dhënave.
Fakti që ligji ka si objekti të nxisë tatimpaguesit, të përmbushin në mënyrë vullnetare, detyrimet për tatimin mbi të ardhurat e korporatave ose tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, si dhe rivlerësimit të pasqyrave financiare nëpërmjet një marrëveshjeje me Autoritetin Tatimor, nuk përbën asnjë pengesë për zbatimin e detyrimit që subjektet e ligjit, kanë për raportimin e aktivitetit të dyshimtë (RAD) në AIF. Për subjektet e ligjit, paraqitja e dokumentacionit në kuadrin e deklarimit vullnetar, nuk përbën provë të origjinës së ligjshme të fondeve apo transaksioneve që ato kryejnë me klientët (përfshirë këtu dhe shërbimet e natyrës profesionale që ofrohen për këtë qëllim), thuhet në udhëzim.
Udhëzimi paraqet dhe një sërë treguesish, që lidhen me deklarimin vullnetar, të cilët shërbejnë për përmbushjen e masave parandaluese të PP/FT, nga subjektet e ligjit. Lista e treguesve nuk është shteruese dhe duhet të shqyrtohet nga subjektet, së bashku me të gjithë informacionin e disponueshëm mbi klientin.
Këta tregues, nuk përbëjnë domosdoshmërisht baza për dyshim dhe nuk përfshijnë të gjitha rastet, të cilët kërkojnë një shqyrtim të thelluar të transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit, që mund të lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të dëmtimit në masë.
– Klienti nuk është në gjendje të ofrojë dokumente ose informacione të përshtatshme që shpjegojnë burimin e fondeve, që përdoren në kuadrin e deklarimit vullnetar;
– Mospërputhje midis informacionit të dhënë si pjesë e procesit të vigjilencës së duhur ndaj klientit dhe informacionit të dhënë si pjesë e procesit të deklarimit;
– Ka dyshime në lidhje me pronarin/ët e përfitues të subjektit që kryen deklarimin vullnetar;
– Transaksione të subjektit, që mund të lidhen me vende të konsideruara me rrezik të lartë ose vende që nuk zbatojnë në mënyrë efektive Rekomandimet e FATF;
– Transferta të fondeve jashtë vëndit, drejt vendeve të ndryshme të pa justifikuara nga pikëpamja ekonomike apo ligjore;
– Klienti tregon interes të veçantë në lidhje me detyrimet e ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, veçanërisht për raportimin në AIF;
– Transaksione apo depozitime në llogari në vlera të larta dhe të pazakonta, me para në dorë;
– Veprimet e ndërmarra në lidhje me procesin e deklarimit vullnetar, që duket se synojnë të shmangin detyrimin për raportim;
– Lëvizje e shpejtë e fondeve, ose ndarje e shumave të mëdha në depozita më të vogla (strukturim) për të shmangur pragjet e raportimit, në kuadrin e zbatimit të deklarimit vullnetar;
– Transaksione që nuk mbështeten me të dhënat apo informacionin përkatës, ose dyshime në lidhje me ligjshmërinë e dokumentacionit të ofruar për burimin e fondeve;
– Klienti ngurron të japë informacion në lidhje me transaksionet ose shfaq një interes të pazakontë për mënyrën se si do të raportohen ato në kuadrin e zbatimit të legjislacionit në fushën e parandalimit të PP/FT.
Ligji për paqen fiskale
Ministri i Financave, petrit malaj, deklaroi së fundmi se brenda muajit maj ministria e Financave do të ketë gati udhëzimet dhe aktet nënligjore të ligjeve për Mqarrëveshjen e paqes Fiskale për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime, dogana dhe pushteti vendor, duke i hapur rrugë zbatimit të dy ligjeve më të rëndësishme të paketës fiskale.
Ligji “Për marrëveshjen e paqes Fiskale”, mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.
Vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore, mund të hyjë çdo biznes i rregullt qoftë persona fizik apo entitet. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje me administratën tatimore janë bizneset që ndaj tyre është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.
Gjatë kësaj marrëveshje me afat 1 vjeçar (me të drejta rinovimi deri 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Pra në thelb marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatim fitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 mln lekë , por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18% . Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Por bizneset që do të kërkojnë të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimit dhe korrigjimin e pasqyrave financiare fillimisht do të duhet të dorëzojnë kërkesë online përmes platformës e-Filing.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.
Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të pa treguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë.
Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.
Përjashtim për hyrjen në marrëveshje me tatimet, në këmbim të moskryerjes së kontrollit, do të bëjnë bizneset ndaj të cilëve janë hapur çështje penale për mashtrim apo evazion.
Kundërshtimet për Paqen Fiskale
Drafti për paqen fiskale është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare, pasi ai shihet si një lloj amnistie e fshehur. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar se disa prej elementeve të ligjit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale.
Paqja është kundërshtuar dhe nga institucionet e mëdha të biznesit. Në dhjetor, pak para se Kuvendi të miratonte këtë ligji, Dhoma Amerikane, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, doli me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. Sipas vlerësimit professional të Dhomës, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë të tillë si rrezik i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme; Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash; Ulje të cilësisë së administrimit tatimor; Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit dhe nxitje të skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta.
Dhoma thotë gjithashtu se drafti ka probleme ligjore dhe cenim të parimeve themelore të taksimit si dhe ka pasur mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm.