Komunat e Kosovës kanë shpenzuar mbi 126.6 milionë euro për pagesa që lidhen me vendime gjyqësore dhe përmbarimore gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin 2024, kur këto pagesa ishin rreth 86.3 milionë euro, shkruan Kujdestari.info.
Të dhënat janë publikuar nga Instituti GAP, bazuar në raportet vjetore financiare të Thesarit të Ministrisë së Financave.
Sipas analizës, bëhet fjalë për mjete që komunat detyrohen t’i paguajnë pas proceseve gjyqësore apo përmes procedurave përmbarimore – para që në shumë raste burojnë nga mosrealizimi në kohë i obligimeve financiare ose nga konteste të humbura.
Në praktikë, këto janë fonde publike që mund të ishin orientuar për investime në infrastrukturë, shkolla, shërbime komunale apo projekte të tjera për qytetarët, por që përfundojnë duke mbuluar obligime ligjore të komunave.
Pse po rriten këto pagesa?
Sipas GAP-it, një pjesë e konsiderueshme e këtyre detyrimeve lidhen me:
- Kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi;
- Vendimin qeveritar të vitit 2008 për pagesë shtesë sipas kualifikimit profesional;
- Kompensimet për shujta, transport dhe inflacion për shërbyesit civilë;
- Vonesat në pagesa ndaj operatorëve ekonomikë dhe furnitorëve;
- Projektet kapitale të dështuara ose të kontestuara.
Prishtina prin me rritjen më të madhe
Nga të gjitha komunat, Prishtina ka regjistruar rritjen më të lartë të pagesave për vendime gjyqësore dhe përmbarimore.
Sipas të dhënave, kryeqyteti ka kaluar nga 10.5 milionë euro në vitin 2024, në mbi 45.6 milionë euro në vitin 2025, që përfaqëson një rritje prej 332 për qind.
Pas Prishtinës, rritje të konsiderueshme kanë shënuar edhe:
- Prizreni: nga 5.5 milionë euro në 12.6 milionë euro (+128%);
- Ferizaj: nga 3.2 milionë euro në 8.2 milionë euro (+153%);
- Leposaviqi: nga 168 mijë euro në 707 mijë euro (+319%);
- Mamushë: nga 51 mijë euro në 179 mijë euro (+249%).
Edhe Gjilani ka regjistruar pagesa të larta, duke kaluar nga rreth 7 milionë euro në mbi 9 milionë euro, ndërsa Vushtrria, Lipjani dhe Kaçaniku kanë shënuar po ashtu rritje krahasuar me vitin paraprak.
Lexoe dhe:
Mbi 45 milionë euro për përmbarime- rreth 36% e buxhetit të Prishtinës shkoi për vendime gjyqësore
Disa komuna arritën t’i ulin shpenzimet
Megjithatë, jo të gjitha komunat kanë ndjekur trendin e rritjes.
Peja ka regjistruar uljen më të madhe, duke zbritur nga mbi 7 milionë euro në vitin 2024, në rreth 2.3 milionë euro në vitin 2025, ose 66 për qind më pak.
Rënie të ndjeshme kanë shënuar edhe:
- Dragashi (-55%);
- Shtërpca (-52%);
- Fushë Kosova (-41%);
- Kamenica (-44%);
- Mitrovica e Jugut (-29%).
Shifrat e publikuara nxjerrin në pah barrën financiare që vendimet gjyqësore dhe procedurat përmbarimore po i krijojnë buxheteve komunale, në një kohë kur komunat vazhdimisht ankohen për mungesë fondesh për investime dhe shërbime bazike për qytetarët. /Kujdestari.info/
