E diel, 12 Korrik, 2026

Tenderi i QKUK-së për largimin e mbetjeve nga spitali përfundon në OSHP

Ndaj

Çdo ditë, në sallat e operacionit, klinikat dhe repartet e lindjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) krijohen mbetje patologjike, përfshirë mbetjet indore dhe placentat, të cilat për shkak të natyrës së tyre nuk mund të trajtohen si mbeturina të zakonshme. Ato duhet të paketohen, transportohen dhe asgjësohen sipas procedurave të përcaktuara me ligj, në mënyrë që të mos paraqesin rrezik për shëndetin publik, stafin mjekësor dhe mjedisin. Pikërisht për këtë qëllim, QKUK kishte iniciuar një aktivitet prokurimi me vlerë të parashikuar prej 40,500 euro, për sigurimin e operatorit që do ta kryente këtë shërbim gjatë periudhës së kontratës, shkruan Kujdestari.info.

Megjithatë, procedura nuk ka arritur ende në fazën e nënshkrimit të kontratës. Pas vlerësimit të ofertave, QKUK vendosi ta anulonte aktivitetin e prokurimit, vendim që u kundërshtua nga njëri prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në garë. Kompania “MetBat SH.P.K.” pretendon se ishte eliminuar padrejtësisht dhe se dokumentacioni i dorëzuar prej saj i përmbushte kërkesat e dosjes së tenderit, ndërsa autoriteti kontraktues vlerëson të kundërtën. Për këtë arsye, rasti ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili pritet të japë vendimin përfundimtar. (Vendimi)

Ndërkohë, eksperti shqyrtues i OSHP-së tashmë ka përfunduar analizën e lëndës dhe i ka rekomanduar panelit që ankesa të refuzohet si e pabazuar, duke konstatuar se operatori ekonomik nuk kishte dëshmuar përputhshmërinë me kërkesat teknike të dosjes së tenderit.

Sipas raportit, tenderi kërkonte shprehimisht varrosjen e mbetjeve indore dhe placentave, ndërsa dokumentacioni i paraqitur nga kompania autorizonte një metodë tjetër të trajtimit – djegien (incinerimin)- të cilat, sipas ekspertit, nuk mund të konsiderohen metoda ekuivalente. Megjithatë, raporti i ekspertit ka karakter rekomandues dhe fjala e fundit i takon panelit të OSHP-së, i cili do të vendosë nëse do ta lërë në fuqi anulimin e tenderit apo do ta kthejë procedurën në rivlerësim. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera