Tenderi shumë-milionësh për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A6 dhe A7, i hapur nga Ministria e Infrastrukturës në qershor të vitit 2025, është zvarritur për afro një vit mes ankesave të shumta në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pretendimeve për kritere kundërligjore dhe rekomandimeve të jashtligjshme për kontratë, derisa Ministria në kohën kur udhëhiqej nga Hysen Durmishi kishte lidhur kontrata me negocim për sezonin dimëror 2025-2026 për shkak të mosfinalizimit të procedurës kryesore.
Sot, në platformën e e-Prokurimit është publikuar “Njoftimi për nënshkrimin e kontratës” për tenderin me vlerë të parashikuar prej 15 milionë e 942 mijë eurosh, i cili parasheh mirëmbajtjen e autoudhëve për tri vite, përkatësisht sezonet 2025-2026, 2026-2027 dhe 2027-2028. (DOKUMENT)
Sipas dokumenteve zyrtare, procedura ishte hapur më 20 qershor 2025, ndërsa hapja e tenderëve ishte bërë më 27 nëntor 2025, me afat të shkurtuar për dorëzim të ofertave. Njoftimi për dhënie të kontratës ishte publikuar më 27 prill 2026, ndërsa kontratat janë nënshkruar më 4 maj 2026.
Tenderi ishte ndarë në katër lote, ku fituese kanë dalë këto grupe operatorësh ekonomikë:
LOT 1 Mirëmbajtja e autoudhës A7, segmenti Morinë-Gjurgjicë:
Grupi “Lika Company SH.P.K” dhe “Lika Trade SH.P.K”, me ofertë prej 231.48 euro për njësi matëse sipas paramasës së tenderit. Në këtë lot kishin ofertuar 11 kompani, por vetëm dy oferta ishin shpallur të përgjegjshme.
LOT 2 Segmenti Bresje-Besi dhe lidhja A7-A6:
Fitues është shpallur konsorciumi “Arbotec SH.P.K”, “DELTA-CCD SH.P.K” dhe “Rinesa SH.P.K”, me ofertë prej 184.86 euro. Edhe në këtë lot ishin pranuar 11 tenderë, por vetëm dy ishin konsideruar të përgjegjshëm.
LOT 3 Autoudha A6, segmenti Veternik-Ferizaj:
Kontrata i është dhënë grupit “Bageri SH.P.K”, “ILEAA-GR SH.P.K” dhe “EL-BAU SH.P.K”, me ofertë prej 209.67 euro.
LOT 4 Segmenti Ferizaj-Hani i Elezit:
Fitues është shpallur grupi “Eurokos Holding SH.P.K”, “VIA” dhe “Dio Bes SH.P.K”, me ofertë prej 270.98 euro.
Tenderi për “Mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025-2026, 2027, i ndarë në katër lote, është zvarritur aq gjatë sa një nga sezonet e parapara në kontratë tashmë ka përfunduar pa u implementuar kontrata bazë. Procedura, e hapur në qershor të vitit 2025, u finalizua me nënshkrim kontratash vetëm në maj të vitit 2026, çka nënkupton se sezoni dimëror 2025-2026 ka kaluar ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës kishte detyruar të përdorte kontrata me negocim për mirëmbajtjen emergjente. Në këto rrethana, mbetet të shihet nëse kohëzgjatja e kontratës do të shtyhet edhe për vitin 2028, duke marrë parasysh se tenderi ishte paraparë për tri vite të plota mirëmbajtjeje. /Kujdestari.info/