E martë, 9 Qershor, 2026

‘Made in Kosova’ po depërton në rajon: Eksportet pothuajse dyfishohen brenda katër muajsh

Ndaj

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s po marrin hov nga muaji në muaj, me prillin që ka shënuar rekordin më të lartë të katërmujorit të parë të vitit 2026. Të dhënat tregojnë se kompanitë kosovare kanë eksportuar mallra në vlerë prej mbi 41.1 milionë euro vetëm gjatë prillit, duke shënuar një rritje të fortë krahasuar me janarin, kur eksportet ishin rreth 22.6 milionë euro, shkruan Kujdestari.info.

Pra, për vetëm katër muaj, eksporti i Kosovës në rajon pothuajse është dyfishuar. Nga janari në prill, rritja arrin në afro 81 për qind.

Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet “magneti” kryesor për produktet kosovare. Vetëm në katër muajt e parë të vitit, eksportet drejt këtij shteti kanë arritur në mbi 49.3 milionë euro. Në janar eksporti drejt Shkupit ishte rreth 8.4 milionë euro, ndërsa në prill ka shpërthyer në mbi 15.7 milionë euro.

Pas saj renditet Shqipëria, me afro 37.8 milionë euro eksporte gjatë periudhës janar-prill. Vetëm gjatë prillit, eksportet drejt Shqipërisë kanë arritur në mbi 11.8 milionë euro, duke dëshmuar se tregu shqiptar po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për bizneset kosovare.

Por, ajo që bie më shumë në sy është rritja e eksportit drejt Serbisë. Pavarësisht tensioneve politike dhe barrierave të vazhdueshme tregtare ndër vite, eksportet kosovare drejt Serbisë kanë kaluar shifrën prej 22.4 milionë eurove në katër muaj.

Në janar, Kosova eksportonte rreth 2.9 milionë euro mallra drejt Serbisë, ndërsa në prill kjo vlerë është ngjitur në gati 7 milionë euro. Kjo përkthehet në një rritje prej mbi 133 për qind brenda vetëm katër muajsh – ritmi më i shpejtë i rritjes mes partnerëve kryesorë tregtarë në CEFTA.

Edhe Mali i Zi ka shënuar rritje të konsiderueshme. Nga rreth 2.4 milionë euro në janar, eksportet kosovare drejt këtij shteti kanë arritur në afro 5 milionë euro në prill, duke u dyfishuar brenda periudhës.

Bosnja dhe Hercegovina, ndonëse mbetet treg më i vogël për Kosovën, ka regjistruar po ashtu rritje të ndjeshme. Eksportet janë rritur nga rreth 425 mijë euro në janar në mbi 1.5 milion euro në prill.

Në total, eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 kanë kaluar shifrën prej 129 milionë eurosh. Të dhënat tregojnë një trend të qartë se bizneset kosovare po depërtojnë gjithnjë e më shumë në tregjet rajonale, ndërsa prilli ka rezultuar muaji më i fuqishëm deri tani./Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera