Ministria e Infrastrukturës mund të përballet me masa ndëshkuese financiare nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), nëse nuk zbaton vendimin për t’i lejuar qasje mediumit Kujdestari.info në dokumentet që lidhen me shkëputjen e kontratave për lotet e Autostradës Prishtinë-Gjilan.
Në shkurt të vitit 2026, mediumi online Kujdestari.info kishte parashtruar kërkesë zyrtare për qasje në dokumente publike në Ministrinë e Infrastrukturës, duke kërkuar dokumentacion lidhur me shkëputjen e kontratave për lotet e Autostradës Prishtinë-Gjilan.
Përmes kërkesës, mediumi kishte kërkuar qasje në vendimet zyrtare për shkëputjen e kontratave, përfshirë arsyetimin ligjor dhe teknik të ndërprerjes së tyre, kopjet e njoftimeve për ndërprerje kontrate të dërguara operatorëve ekonomikë, procesverbalet apo vendimet e komisioneve që kishin rekomanduar shkëputjen e kontratave, si dhe çdo dokument tjetër relevant që lidhet me këtë çështje.
Megjithatë, pavarësisht afatit ligjor prej 7 ditësh të paraparë me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Ministria e Infrastrukturës nuk kishte kthyer asnjë përgjigje ndaj mediumit, as duke lejuar qasje dhe as duke dhënë arsyetim për refuzim.
Për shkak të heshtjes institucionale, Kujdestari.info më pas iu kishte drejtua Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke paraqitur ankesë ndaj ministrisë për mosveprim.
AIP fillimisht kishte kërkuar sqarime nga ministria lidhur me mosofrimin e dokumenteve dhe kishte kërkuar arsyetim për mosveprim, mirëpo institucioni nuk kishte kthyer përgjigje as ndaj Agjencisë. Agjencia vlerëson se heshtja e vazhdueshme mund të konsiderohet si shkelje e detyrimeve ligjore për qasje në dokumente publike.
Si rezultat, së fundmi me 18 Maj, AIP ka nxjerrë vendim përmes të cilit obligon Ministrinë e Infrastrukturës që brenda 7 ditëve nga pranimi i vendimit të sigurojë qasje të plotë në dokumentet e kërkuara, përfshirë vendimet për shkëputjen e kontratave, njoftimet për operatorët ekonomikë dhe dokumentacionin tjetër relevant që lidhet me lotet e autostradës Prishtinë–Gjilan. Po ashtu, ministria obligohet ta njoftojë me shkrim Agjencinë për veprimet e ndërmarra.


Sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, institucionet publike janë të obliguara të ofrojnë qasje në dokumente, përveç rasteve të kufizuara të përcaktuara me ligj. Moszbatimi i vendimeve të AIP-së mund të pasohet me masa ndëshkuese financiare, ku zyrtarët përgjegjës apo institucionet që pengojnë qasjen në dokumente publike mund të përballen me gjobë nga 3 mijë deri në 10 mijë euro.
Aktualisht, kanë mbetur edhe 5 ditë nga afati i përcaktuar nga Agjencia, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka kthyer përgjigje ndaj Kujdestari.info, duke rrezikuar përballjen me masa ligjore dhe financiare në rast të moszbatimit të vendimit. /Kujdestari.info/