Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është rikthyer në qendër të debatit publik dhe politik, duke u konsideruar si një ndër nismat më të rëndësishme në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit në Kosovë.
Ky projektligj synon krijimin e një mekanizmi të posaçëm për konfiskimin civil të pasurisë, në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, duke prekur drejtpërdrejt çështje të ndjeshme si transparenca, drejtësia dhe besimi i qytetarëve në institucione.
Megjithatë, procesi i hartimit dhe miratimit të tij është shoqëruar me sfida të shumta, si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë procedural.
Projektligji ka kaluar nëpër disa vlerësime, përfshirë edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka evidentuar mangësi të rëndësishme dhe në disa raste ka çuar deri në anulimin e tij.
Çështje si retroaktiviteti i ligjit, e drejta e pronës dhe procedurat e miratimit kanë qenë ndër pikat kryesore të kontestuara.
Pavarësisht saj, Qeveria ka vendosur që ta rikthejë projektligjin për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, duke e konsideruar atë si të domosdoshëm për avancimin e reformave në drejtësi. Në këtë kontekst, projektligji mbetet një test i rëndësishëm për institucionet e vendit, si në aspektin e respektimit të standardeve kushtetuese dhe procedurale, ashtu edhe në garantimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent.
Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, (IKD), për FrontOnline ka kritikuar vendimin e Qeverisë për miratimin e projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar shkelje të procedurave dhe mungesë të konsultimeve publike.
“Në këtë rast, Qeveria nuk i ka respektuar procedurat që vet i ka vendosur. Rregullorja e Qeverisë e kërkon qartë konsultimin publik, por kjo nuk ka ndodhur. Pos se obligim ligjor, konsultimi publik dhe gjitheperfshirja jane parakushte te qeverisje se mire ne fushen e draftimit te ligjeve”, deklaroi Shala.
Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që një problem i tillë përsëritet me këtë projektligj.
“Fatkeqësisht, kjo është hera e tretë që ky projektligj miratohet në Qeveri dhe prapë po përsëritet i njëjti problem – konsultimet publike nuk po bëhen si duhet, as në procedure dhe as në përmbajtje”, u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas Shalës, qasja e ndjekur nga institucionet nuk është e duhur për një ligj me ndikim të gjerë në shoqëri.
“Për ligje kaq të rëndësishme, kjo qasje nuk është në rregull. Këto procese duhet të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse dhe serioze, jo vetëm formale. Po flasim për një ligj qe prek qindra mijëra qytetarë dhe të veprohet në këtë mënyrë është proceduralisht dhe konceptualisht e parregullt”, theksoi Shala.
Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, për FrontOnline ka deklaruar se projektligji për konfiskimin civil të pasurisë ka kaluar nëpër procese të shumta vlerësimi, por sipas tij, ka ende mangësi serioze procedurale dhe përmbajtësore që duhet të adresohen para miratimit përfundimtar.
“Publiku është i informuar mjaftueshëm sa i përket këtij projektligji dhe nevojës që të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe të themelohet ky mekanizmi i konfiskimit civil të pasurisë. E dini që Projektligji iu është nënshtruar disa vlerësimeve në Komisionin e Venecias dhe po ashtu dy vlerësimeve në Kushtetuese, njëri vlerësim është përmbajtjesor ku e ka anuluar në katër dispozita këtë projektligj dhe vlerësimi tjetër është procedural, për shkaqe se Kuvendi nuk e ka zhvillu procedurat e duhura sa i përket leximit të parë dhe të dytë, atëherë gjykata e ka anulu vendimin e Kuvendit si jo kushtetues”, deklaroi Bugaqku.
Ai shtoi se pas këtyre vendimeve, Qeveria e ka ridërguar projektligjin në Kuvend, por pa adresuar në mënyrë të plotë rekomandimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese.
“Por më pas Qeveria vendosi që miratoj dhe ta dërgoj në Kuvend për shqyrtim dhe miratim dhe ne vlerësojmë që pas vendimit të parë të Kushtetutës ku janë manifestuar katër vërejtje të mëdha sa i përket përmbajtjes së këtij projektligji që përfshin çështjen e retroaktivitetit të ligjit, pra të periudhës së verifikimit të pasurisë nga viti 2008 e tutje, pastaj çështjes së marrjes së pronës, më pas të drejtës në ankesë dhe këto çështje Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar edhe një herë që të shqyrtohen dhe analizohen me një konstitcenë të plotë”, u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas tij, një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e konsultimit publik për këtë projektligj.
“Çka ka ndodhur është se Qeveria nuk është angazhuar apo nuk është aktivizuar që këtë projektligj ta vendos në konsultim publik, por ka vendosur ta votoj dhe ta dërgoj në Kuvend. Meqë Ligji është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese në tërësi në vendimin e parë dhe është anuluar në vendimin e dytë sa i përket procedurës së miratimit, ne mendojmë se duhet që përsëri nga fillimi t’i nënshtrohet një procesi publik, para se i njëjti të miratohet në Qeveri të Kosovës, por kjo s’ka ndodhur dhe kjo fazë është anashkaluar dhe këtu është bërë një shkelje ndaj përmbajtjes së këtij Projektligji”, theksoi Bugaqku.
Deputeti Erxhan Galushi, për FrontOnline e ka vlerësuar vendimin e Qeverisë për miratimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap pozitiv në forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar megjithatë nevojën për zbatim të kujdesshëm dhe të paanshëm.
“Vendimin e Qeverisë për miratimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e vlerësoj si një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit në vend. Megjithatë, mbetet thelbësore që ky mekanizëm të zbatohet me përpikëri, profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim politik, në mënyrë që të ruhet besimi i qytetarëve dhe të sigurohen rezultate konkrete”, deklaroi Galushi.