E hënë, 1 Qershor, 2026

Bypass-i i Elbasanit, ARRSH hap dy tendera me fond limit rreth 60 milionë euro

Ndaj

Bypassi i Elbasanit është projekti i radhës për të cilin Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar sot hapjen e dy procedurave të prokurimit.

Këto të fundit me objekt kontrate “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII, Faza 1” dhe “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, Faza II”.

Procedura e parë, Faza 1, ka një fond limit prej 3,3 miliardë lekësh, ndërsa Faza 2 ka një fond limit prej 2,5 miliardë lekësh, duke çuar në total fondin për këtë lot të parë në rreth 60 milionë euro.

Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën e prokurimit nënvizohet se ky segment ka për qëllim të përmirësojnë lidhjen mes kryeqytetit dhe qytetit të Elbasanit dhe duke përforcuar lidhjet e Korridorit VIII, një nga korridoret kryesore ndërkombëtare në rajon.

Rruga ndjek kryesisht gjurmën e By-Pass-it të qytetit të Elbasanit, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë, me disa devijime të vogla për të përmbushur standardet e projektimit të një autostrade ndërurbane të kategorisë “A”. Segmenti fillon në fshatin Bradashesh, ku përfundon autostrada Tiranë–Elbasan, dhe vazhdon drejt jug-perëndimit të qytetit.

Terreni përgjatë këtij segmenti është kryesisht fushor, me kuota që variojnë nga 100 deri në 150 metra mbi nivelin e detit.

Projekti  sipas dokumenteve ka marrë parasysh kushtet hidrologjike, gjeologjike dhe urbanistike të zonës përreth, për të garantuar siguri dhe qëndrueshmëri të lartë të rrugës. Ky segment ka një gjatësi prej 4,2 km.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka theksuar se ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit do të reduktojë trafikun në qendër të qytetit, do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të përmirësojë sigurinë rrugore për qytetarët dhe bizneset. /Monitor.al

Lexo më shumë

Të tjera