E hënë, 25 Maj, 2026

Rreth 33.6 milionë euro humbje nga investimet, Trusti Pensional bleu asete të reja mbi 136 milionë euro në tre muajt e parë të 2026-s

Ndaj

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka regjistruar humbje prej mbi 33.5 milionë euro nga investimet gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndonëse në të njëjtën periudhë ka vazhduar blerjen e aseteve të reja pensionale në vlerë mbi 136 milionë euro. Raporti tremujor i Trustit tregon lëvizje të mëdha financiare në tregjet ndërkombëtare, me investime të reja kryesisht përmes fondeve “Erste”, “Schroder”, “Vanguard” dhe “Amundi”. shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit për periudhën janar-mars 2026, Trusti ka realizuar blerje të aseteve pensionale në vlerë totale prej 136.2 milionë euro. Investimi më i madh rezulton të jetë bërë më 16 shkurt 2026 në fondin “Schroder” me 60 milionë euro, ndërsa mbi 76 milionë euro janë investuar në instrumente të “Erste”. (DOKUMENT)

Në anën tjetër, raporti evidenton se të ardhurat dhe kthimet nga investimet kanë rezultuar negative. Sipas dokumentit, deri më 31 mars 2026, Trusti ka akumuluar humbje prej 33.5 milionë euro nga investimet. Humbjet më të mëdha janë regjistruar te fondi “Vanguard”, me mbi 27 milionë euro humbje, si dhe në disa instrumente të tjera të menaxhuara nga “Erste” dhe “Schroder”.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe janë transferuar dhe shitur asete në vlerë mbi 82.8 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve është zhvendosur nga llogaritë rrjedhëse drejt fondeve investuese ndërkombëtare.

Përkundër humbjeve në tregje, Trusti ka vazhduar të arkëtojë të ardhura nga interesat e depozitave dhe obligacioneve qeveritare. Vetëm nga fletëobligacionet qeveritare janë realizuar mbi 4.1 milionë euro të hyra, ndërsa depozitat me afat kanë sjellë mbi 2.2 milionë euro interesa. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera