E enjte, 5 Mars, 2026

Tenderi 750 mijë euro për bileta ajrore i Ministrisë së Kulturës anulohet pas shkeljeve të mëdha

Ndaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte vendosur të zhvillonte një tender për furnizim me bileta ajrore për nevojat e saj dhe të institucioneve vartëse, me vlerë të parashikuar rreth 750 mijë euro. Megjithatë, ky aktivitet i prokurimit është konstatuar se është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, për shkak të një sërë shkeljesh në procedurë, dokumentacion dhe kritere të vendosura për operatorët ekonomikë. Pas shqyrtimit të ankesës së një operatori ekonomik dhe analizës së dokumentacionit të tenderit, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur ta anulojë në tërësi këtë aktivitet të prokurimit dhe ta kthejë atë në ritenderim, duke konstatuar se shkeljet e bëra nga autoriteti kontraktues janë të natyrës substanciale dhe nuk mund të korrigjohen në këtë fazë të procedurës, shkruan Kujdestari.info.

Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka vendosur të anulojë në tërësi aktivitetin e prokurimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për furnizim me bileta ajrore, duke konstatuar shkelje të shumta të legjislacionit të prokurimit publik gjatë zhvillimit të këtij tenderi. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të ankesës së operatorit ekonomik “AS Travel Club” dhe analizës së raportit të ekspertit shqyrtues.

Sipas vendimit të OSHP-së, aktiviteti i prokurimit me titull “Shërbimet e transportit ajror – bileta për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve vartëse”, me numër të prokurimit 207-25-11429-2-1-1, është anuluar dhe është kthyer në ritenderim, ndërsa ministria është obliguar që brenda 10 ditësh ta informojë OSHP-në për veprimet e ndërmarra pas këtij vendimi.

Kujdestari.info, ka vërejtur se ministria ka përfillur menjëherë vendimin e “Gjykatës se tenderëve”, duke e anuluar në tersi këtë procedurë.

Tenderi në fjalë ishte shpallur nga Ministria e Kulturës më 19 dhjetor 2025, përmes procedurës së hapur, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ishte rreth 750 mijë euro.

Ankesa që çoi në anulimin e tenderit

Procesi u kontestua nga kompania “AS Travel Club”, e cila fillimisht kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim më 29 dhjetor 2025, por ajo ishte refuzuar nga ministria një ditë më pas. Pas këtij refuzimi, operatori ekonomik iu drejtua OSHP-së me ankesë më 5 janar 2026, duke pretenduar shkelje të shumta të Ligjit për Prokurim Publik gjatë përgatitjes së dokumentacionit dhe zhvillimit të tenderit.

Kompania “AS Travel Club”, është njëri prej operatoreve ekonomik që po ‘përpinë’ viteve të fundit, thuajse të gjitha kontratat e kësaj natyre nga institucionet publik.

Paneli i OSHP-së, i përbërë nga Vedat Poterqoi si kryetar dhe Batisha Ibrahimi e Kimete Gashi si anëtare, shqyrtoi dokumentacionin e tenderit, raportin e ekspertit dhe parashtresat e palëve, duke konstatuar se procedura e ndjekur nga ministria përmbante lëshime të rëndësishme ligjore.

Një nga gjetjet kryesore të ekspertit shqyrtues lidhet me mënyrën se si ishte përgatitur dosja e tenderit. Sipas ekspertit, ministria kishte përdorur formularin e gabuar të dosjes së tenderit, duke aplikuar formularin për kontratë të zakonshme shërbimesh (B16), ndërkohë që nga përshkrimi i kontratës rezultonte se bëhej fjalë për kontratë publike kornizë.

Në këto rrethana, autoriteti kontraktues ishte dashur të përdorte formularin B28 për kontrata kornizë dhe të përcaktonte qartë mënyrën e implementimit të kontratës përmes porosive gjatë periudhës së saj. Eksperti vlerësoi se përdorimi i gabuar i procedurës dhe hartimi jo profesional i dokumentacionit e bënin të pamundur vazhdimin e tenderit në këtë formë.

Një tjetër problem i konstatuar lidhet me shkurtimin e afatit për dorëzimin e ofertave. Ministria kishte arsyetuar shkurtimin e afatit me faktin se kontrata e mëparshme ishte shpenzuar dhe ishte e domosdoshme një kontratë e re.

Megjithatë, sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga eksperti, kontrata ekzistuese për të njëjtat shërbime, e nënshkruar më 30 nëntor 2023, ishte ende në fuqi deri në 30 nëntor 2026 dhe nuk ishte shfrytëzuar plotësisht, pasi nga 2000 bileta të parapara ishin përdorur vetëm 1,383, ndërsa 617 bileta mbeteshin ende të pashfrytëzuara.

Për këtë arsye, eksperti vlerësoi se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për shkurtimin e afateve të tenderimit për kontrata me vlerë të madhe, të cilat sipas ligjit duhet të kenë afat minimal prej 40 ditësh.

Kritere jo proporcionale për realizimin e kontratës

Eksperti gjeti gjithashtu probleme edhe në kriteret e vendosura për kapacitetin teknik dhe profesional të operatorëve ekonomikë. Në dokumentet e tenderit kërkohej që kompania fituese të ofronte shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë, ndërkohë që si kriter minimal ishte vendosur vetëm një punëtor i kualifikuar me trajnim nga IATA.

Sipas ekspertit, një kërkesë e tillë është jo proporcionale dhe praktikisht e pazbatueshme, pasi një punëtor i vetëm nuk mund të mbulojë shërbime gjatë gjithë kohës pa shkelur edhe dispozitat e Ligjit të Punës, i cili përcakton se orari i plotë i punës është 40 orë në javë.

Pas analizimit të të gjitha provave dhe raportit të ekspertit, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka ardhur në përfundim se ministria nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e ligjit për prokurim publik, duke bërë shkelje në procedurën e publikimit të tenderit, në përcaktimin e afateve dhe në kriteret e përzgjedhjes.

Për shkak të këtyre shkeljeve, paneli vendosi që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet pjesërisht dhe aktiviteti i prokurimit të anulohet në tërësi, ndërsa ministria të detyrohet ta rihapë procedurën përmes një tenderi të ri në përputhje me ligjin.

“Anulohet ne teresi aktiviteti i AK të MINISTRIA E KULTURES RS DHE ÇJK, ndërkaq aktiviteti i prokurimit Shërbimet e transportit ajror – bileta për nevojat e MKRS-së dhe Institucioneve Vartëse me numër të prokurimit 207-25-11429-2-1-1 kthehet në Ritender”, thuhet nw vendimin e panelit.

Në vendimin e saj, OSHP ka theksuar se shkeljet e konstatuara janë të natyrës substanciale dhe nuk mund të korrigjohen në këtë fazë të procedurës, prandaj anulimi i plotë i tenderit ishte i domosdoshëm. /Kujdestari.info/

 

Lexo më shumë

Të tjera