Komuna e Prishtinës ka ndalur publikimin e lejeve të ndërtimit që nga data 29 maj 2025, duke lënë për më shumë se pesë muaj qytetarët pa informacione bazë mbi zhvillimet urbane në kryeqytet, shkruan Kujdestari.info.
Dokumenti i fundit i publikuar nga Drejtoria e Urbanizmit tregon se deri në këtë datë janë lëshuar 58 leje ndërtimi, për të cilat komuna ka arkëtuar gjithsej 2.85 milion euro nga taksat e lejeve.
Nga analiza e të dhënave rezulton se këto leje përfshijnë një volum të konsiderueshëm ndërtimi, ku sipas etazhitetit të raportuar, janë lejuar 189 kate ndërtimi në total për objektet e ndryshme individuale, afariste dhe shumëbanesore.
Megjithatë, që prej majit e deri më sot, Komuna nuk ka publikuar asnjë leje të re, as listën e përfituesve, duke shkelur detyrimin ligjor për transparencë dhe duke penguar qasjen e publikut në dokumente që janë me interes të lartë për qytetarët, zhvilluesit dhe komunitetin profesional.
Për pesë muaj me radhë, qytetarët nuk e dinë kush ka marrë leje, për çfarë objektesh, sa kate po ndërtohen apo sa të ardhura po arkëton komuna nga ndërtimi. Kjo mungesë e transparencës ngit shqetësime serioze për menaxhimin e procesit të dhënies së lejeve në Komunën e Prishtinë. /Kujdestari.info