Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka zvarritur për dy vite me radhë procesin e tenderit të hapur për furnizim me mazut, duke favorizuar një operator të vetëm ekonomik. Këtë e ka konstatuar vetë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) në vendimin e fundit të nxjerrë për këtë aktivitet, ku është lënë në fuqi anulimi përfundimtar i tenderit nga ana e KEK-ut, qe tenderi të anulohet në tersi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, sa procedura e tenderit të hapur u shndërrua në një “pingpong” institucional mes KEK-ut dhe OSHP-së, korporata ka shfrytëzuar procedurat emergjente për të lidhur kontrata me negocim me kompaninë “Ex Fis”. Kjo kompani, sipas konstatimeve të OSHP-së, ishte vlerësuar e papërgjegjshme në kuadër të procesit të tenderit të hapur, ndonëse Autoriteti Kontraktues kishte insistuar vazhdimisht që ta shpallte fituese, shkruan Kujdestari.info.
Gjatë ditës së sotme, në dokumentin e vendimit të autoritetit kontraktues për aktivitetin “Furnizim me mazut”, KEK njofton se e shpërblen me kontratë OE “Ex Fis” me çmim oferte 259,505.06 euro (me TVSH). Në të njëjtën tabelë figuron edhe oferta e OE “PATRONI” SH.P.K. me vlerë 279,565.06 euro, ndërsa me TVSH pas zbritjes 276,675.06 euro. Procedura është zhvilluar me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kompania e njëjtë është duke u shpërblyer me tender me negocim në dy vitet e fundit për furnizim me mazut, një lënde e domosdoshme për operimin e termocentraleve. Kjo pwr shkw se korporata e kishte ne procerdurë një tender të hapur në vlerë prej 6.6 milionë euro për tri vite.
Për këtë arsye, OSHP kishte iniciuar procedurë për tërheqjen e licencës së shefit të prokurimit në KEK, si dhe kishte shqiptuar një gjobë prej 10 mijë eurosh ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Paneli Shqyrtues evidenton se lidhur me këtë aktivitet të prokurimit ka nxjerr edhe tri vendime paraprake me nr. 2024/0513, 2024/0970, dhe 2025/0095. Në të gjitha këto vendime janë konstatuar shkeljet e autoritetit kontraktues i cili nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore dhe kërkesave të NJK dhe DT. Në të gjitha këto vendime kanë qenë i njëjti OE ankues i cili është edhe tani ankues dhe e ka përsëritur ankesën e tij për herën e katërt me nr. 2025/1232. Paneli Shqyrtues në të gjitha vendimet paraprake ka konstatuar shkeljet të cilat i ka bërë AK. Kështu që, edhe Paneli Shqyrtues në bazë të atyre të gjeturave dhe shkeljeve të AK, aktivitetin e prokurimit tre (3) herë me radhë e ka kthyer lëndën në ri-vlerësim, me qëllim që AK të bëjë ri-vlerësimin e ofertave konform dispozitave ligjore. Lidhur me këtë, Paneli, shpjegon po ashtu se Autoriteti Kontraktues (AK), në kuptim të nenit 1 dhe 6 dhe në përputhje me nenin 115 të Ligjit për Prokurim Publik, nga cilësia e saj si iniciues e këtij aktiviteti të prokurimit, kishte mundësinë të rishikonte sërish vendimin e saj bazuar në gjetjet e vendimeve paraprake të OSHP”, thuhet në vendimin e datës 13 shkurt 2026 tw Panelit tw OSHP-sw.
“Ligji specifikon se nëse AK vërteton se pretendimi ose të gjitha pretendimet janë të vlefshme dhe nuk janë refuzuar nga ankuesi, ata mund të ndërmarrin veprime korrigjuese të rekomanduara nga eksperti. Megjithatë, AK tani ka gjetur se ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet. Paneli Shqyrtues potencon se autoriteti kontraktues në këtë aktivitet të prokurimit të iniciuar në vitin 2024 vazhdimisht ka luajtur një rol dekonstruktiv dhe vlerësim të ofertave në kundërshtim me LPP, dhe sipas bindjes së këtij Paneli Shqyrtues AK qëllimisht ka prolonguar këtë aktivitet të prokurimit, për të cilin konsideron se tani më veq se e ka humbur kuptimin dhe qëllimin për të cilin është iniciuar konform nenit 1 të LPP, i cili po ashtu ka kaluar edhe nëpër Gjykatat të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në vendimin e panelit, i cili përfundimisht urdhëroi anulimin e tenderit, i cili sipas tij tashmë e ka humbur kuptimin e procesit në procedura.
Dy vite kontest
Më 18.01.2024, “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a. në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”, me nr. të prokurimit: KEK-24-186-1-1-1. Ndërkaq, më datën 23.09.2024 është publikuar njoftimi mbi vendimin e AK me të cilin ka shpërblyer me kontratë OE “EX FIS ”.
Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar me procedurë të hapur me llojin e kontratës furnizim dhe me vlerë të parashikuar të kontratës 6,650,000.00 euro.
Më 27.09.2024, OE “PATRONI” SH.P.K., ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim kundër vendimit të lartcekur të AK. Më 02.10.2024, Autoriteti Kontraktues ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim.
Më 10.10. 2024, OSHP ka pranuar ankesën nga OE “PATRONI” SH.P.K lidhur me aktivitetin “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”.
Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se ankesa i përmban të gjitha elementet e përcaktuara përmes nenit 111 të LPP dhe si e tillë është parashtruar brenda afatit ligjor.
Pretendimet e kompanisë ankuese “PATRONI” SH.P.K., janë parashtruar si në vijim: Fillimisht, njoftimi mbi vendimin e AK-së ishte bërë më dt. 25.03.2024, ku ishte rekomanduar për kontratë OE Ex Fis SI-IPK me çmim prej: 109.00 euro dhe total prej: 6,381.572.14 euro. Ne kishim pranuar letrën standarde për tenderues të pasuksesshëm. Pastaj, më dt.02.04.2024 ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim me arsyetimin se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm.
Kërkesa për rishqyrtim ishte aprovuar dhe lënda ishte kthyer në rishqyrtim. (Vendimi i parë)
Prej datës së aprovimit të kërkesës për rishqyrtim, pra prej dt. 05.04.2024, deri më dt. 22.05.2024 nuk ishte kryer rivlerësimi dhe rishqyrtimi, ku çështja e vetme që ishte rishqyrtuar ka qenë nënshkrimi i deklaratës për afat të liferimit dhe paramasës dhe përshkrimi i çmimeve pa autorizim.
Më pastaj ishte publikuar njoftimi mbi vendimin më dt. 22.05.2024, ku përsëri ishte rekomanduar për kontratë i njëjti operator ekonomik.
Pas kërkesës për rishqyrtim dhe ankesës në OSHP është nxjerr vendimi i panelit shqyrtues dt. 19.08.2024 Nr.2024/0513, ku ishte aprovuar ankesa si e bazuar, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë ishte shpallur i papërgjegjshëm.
“Paneli shqyrtues konkretisht ka vërejtur se nënshkrimet tek deklarata në betim, deklarata për specifikim teknik dhe deklarata e prodhuesit janë të Drejtorit Lum Muharremi, kurse tek deklarata për afat të liferimit dhe nënshkrim tek paramasa me përshkrim të çmimit nuk janë identike me nënshkrimin e Drejtorit. Pra ndryshojnë dhe ka mospërputhje të nënshkrimeve tek dokumentet e prezantuara në ofertën e OE të rekomanduar për kontratë. Sa i përket nënshkrimeve të vendosua te dy dokumentet e kontestuara, përkatësisht tek deklarata për afat të liferimit dhe tek paramasa në përshkrim të çmimit, paneli shqyrtues ka analizuar këto dy nënshkrime dhe ka ardh në përfundim se autoriteti kontraktues e as eksperti shqyrtues nuk kanë dëshmuar se nënshkrimet e vendosura në këto dy dokumente janë të personit për të cilin pretendon OE i rekomanduar për kontratë dhe për të cilin ka bashkëngjit një autorizim me rastin e sqarimeve shtesë”, kishte konstatuar paneli i OSHP-së.
Për më tepër, gjatë analizës së nënshkrimeve të këtyre dy dokumenteve, Paneli shqyrtues ka vërejtur se nënshkrimet në këto dy dokumente janë të vendosura në formatin dhe mënyrën e njëjtë, pasi që tek paramasa me përshkrimin të çmimit, tek rubrika e nënshkrimit është shënuar fjala ‘për’ dhe është vendosur nënshkrimi, i cili nuk është vërtetuar as nga autoriteti kontraktues e as nga eksperti shqyrtues se i cilit person është.
Ndërsa tek deklarata për afat të liferimit tek rubrika e nënshkrimit është vendosur nënshkrimi i njëjtë, sikurse tek paramasa me përshkrim të çmimit, mirëpo në këtë rubrikë e as në rubrikat tjera nuk është vendosur fjala “për” dhe kjo për panelin shqyrtues dëshmon parregullsi të nënshkrimit të këtyre dokumenteve, përkatësisht mënyrës së nënshkrimit të këtyre dokumenteve dhe dëshmon pamundësinë e vërtetimit nga ana e AK dhe e ekspertit shqyrtues të këtyre nënshkrimeve.
Paneli ka kërkuar nga KEK-u që të anulojë vendimin për dhënien e kontratës dhe t’ia kthejë lëndën për rivlerësim, duke kërkuar sqarime shtesë rreth nënshkrimeve të dokumenteve dhe një hetim më të detajuar në lidhje me ato nënshkrime. KEK-u e ka kthyer procesin në rivlerësim dhe ka shpallur përsëri fituese kompaninë e njëjtë, pa përfillur vendimin e Panelit.
Paneli i OSHP-së e ka shqyrtuar për herë të dytë këtë lëndë, pasi ka pasur ankesa dhe ka vendosur sërish që lënda të kthehet për rivlerësim, duke ruajtur rekomandimet e para. (Vendimi i dytë)
KEK-u e ka kthyer përsëri tenderin për rivlerësim dhe ka shpallur fituese po të njëjtën kompani, ndonëse kishte mundësinë ta anulonte krejtësisht procesin për shkak të dyshimeve për mashtrim me nënshkrime, ose të shpallte fituese kompaninë tjetër që ishte pjesë e garës.
Pasi ka pasur ankesa dhe përseri lënda ka kaluar në shqyrtim të ekspertit para se të merrej vendimi nga Paneli.
Eksperti ka konstatuar se: “Eksperti shqyrtues sqaron se pretendimet e OE ankues në këtë aktivitet të prokurimit janë pretendimet e njëjta, të cilat janë trajtuar edhe në vendimin e PSH 2024/0513 dhe 2024/0970. Pas administrimit të provave, vendimet e PSH eksperti shqyrtues vlerëson se për aktivitetin e prokurimit dhe pretendimet e OE ankues për këtë aktivitet të prokurimit janë marrë dy vendime të OSHP-së, ndërsa duke ju referuar vendimit 2024/0970 citoj “Paneli vlerëson se Autoriteti Kontraktues – Korporata Energjetike e Kosovës , zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marrë për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, ku në bazë të këtij vendimi konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veproj konform nenit 52.7 të LPP. Rrjedhimisht, AK pasi që ka kthyer lëndën në ri-vlerësim, prapë e shpallë OE e njëjtë të rekomanduar për kontratë që sipas vendimit të OSHP, i cili ka marrë formën e prerë është i papërgjegjshëm. Me këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mosrespektimi i vendimeve të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik”. Përfundimisht, bazuar në nenin 119 të LPP-së dhe sqarimet e dhëna përmes emalimit të OSHP-së të datës 20.09.2024 vendimet e PSH OSHP-së, janë të plotfuqishme dhe të njëjtat mund të atakohen në gjykatë sipas këshillës juridike vetëm nga palët e pakënaqura, prandaj eksperti shqyrtues vlerëson se këto pretendime duhet të konsiderohen si çështje të gjykuara “res judicata”.
Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit shqyrtues që lënda të trajtohet si çështje e gjykuar sipas vendimeve paraprake të OSHP-së. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, paneli shqyrtues e vlerëson si të bazuar ankesën e OE ankues Patroni Sh.P.K. Në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, për raste të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i panelit shqyrtues duhet të trajtojë si çështje të gjykuar “res judicata”.
Paneli në ketë rast mori në konsideratë të gjitha pohimet ankimore, aktet dhe veprimet e AK dhe raportin e ekspertit. Në fakt (natyrisht pavarësisht nga rekomandimet) Paneli vëren se procedura e prokurimit, e cila është aplikuar në ketë rast është prezantuar në detaje në raportin e ekspertizës së ekspertit shqyrtues, duke i shpjeguar të gjitha fazat e procesit dhe veprimet e ndërmarra nga palët në kontekstin krahasues me aktet në fuqi, posaçërisht me Rregullat për Prokurim Publik. Prandaj Paneli konform neni 105 paragrafi 2.16 i LPP-së sqaron: “Në rastet e përsëritura me të njëjtat pretendime ankimore, ku objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, në rastet të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i Panelit Shqyrtues i trajton si çështje të gjykuara “res judicata”. Andaj, mbi bazën e kësaj PSH vendos për të anuluar Njoftimin mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” lidhur me aktivitetin “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT( Fuel Oil 1.0%)” dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim.
Paneli konstatoi se Korporata Energjetike e Kosovës sh.a, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marrë për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, si dhe vendimin nr. 2024/0970 të datës 11.12.2024. Në bazë të vendimit nr. 2024/0513, konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veprojë konform nenit 52.7 të LPP. Si dhe me vendimin 2024/0970 PSH ka konstatuar se kjo çështje të trajtohet si çështje e gjykuar dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim, me ç’rast OSHP-ja urdhëron Autoritetin Kontraktues (AK) – “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, që të ndërmarrë masa për zbatimin e vendimit të lartpërmendur në afat prej pesë ditësh, mosrespektimi i këtij urdhri në afat prej pesë ditësh kalendarike, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të respektojë nenin 131 të LPP-së dhe njëkohësisht do të kërkojë nga KRPP-ja që t’i anulojë licencën menaxherit të prokurimit të Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, në pajtim me nenin 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.
Pas analizimit të shkresave të lartpërmendura, të cilat i kishte në dispozicion Paneli Shqyrtues, si: Ankesat e OE ankues, raportet e ekspertit shqyrtues, vendimin nr.2024/0513, nr. 2024/0970, shihet se AK përsëri nuk kishte zbatuar vendimet dhe urdhëresen e OSHP, përderisa vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe të gjitha palët në procedurë, përkundër vendimeve të OSHP-së, mund të ankohen në gjykatën kompetente brenda afatit ligjor me mjete të rregullta juridike, në përputhje me këshillën juridike të dhënë në vendim.
Rrjedhimisht, KEK ka kthyer lëndën në ri-vlerësim dhe përkundër faktit se OSHP me dy vendime e ka kualifikuar OE të rekomanduar të papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit, si dhe përkundër urdhrit të cekur në pikën 3 të dispozitivit të vendimit nr. 2024.0970, AK ka shpallur prapë OE e njëjtë fitues, citat pika 3 e dispozitivit: “URDHËROHET Autoriteti Kontraktues- “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a., që në afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike të njoftojë OSHP-në lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së: PSh.nr.2024/0513 i datës 19.08.2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT (Fuel Oil 1.0%)” me numër të prokurimit KEK-24-186-1-1-1″.
“Vlen të theksohet se këto dy vendime të lartcekura të OSHP kanë marrë formën e prerë ngase të njëjtat nga asnjëra palë nuk janë atakuar në gjykatë. Me këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të prokurimit publik (LPP) si dhe në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mosrespektimi i vendimeve të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik.
Paneli Shqyrtues thekson se vendimin e OSHP-së kanë pasur mundësi ta atakojnë në Gjykatën kompetente konform këshillës juridike të dhënë në vendim, por edhe konform nenit 99, paragrafit 3 të LPP, citat: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”. Pikërisht ligjvënësit në të gjitha sistemet juridike kanë lënë mundësinë që nëse ndonjëra palë në procedurë konsideron se vendimi i OSHP nuk është marrë konform dispozitave ligjore, atëherë të atakohen në gjykatë dhe gjykata ka edhe mundësinë qoftë të lë në fuqi vendimin e OSHP, qoftë lëndën ta kthejë mbrapa në OSHP për ri-vendosje“, ka shkruar OSHP në raport.
Sipas panelit, përveç tjerash, OSHP-në edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë e njeh si kauzi-gjykatë e po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Aktgjykimin e saj me nr. referent AGJ 2459/24, në rastin nr. KO157/23, në pikat 133 dhe 134, thekson se vlerësimi i vendimeve të OSHP i takon vetëm gjykatave të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo, vlerësimin e vendimeve të OSHP nuk mund ta bëjë AK sikurse në këtë rast, por as vetë Paneli Shqyrtues. Që do të thotë se pas vendimeve të OSHP, autoriteti kontraktues ka pasur disa mundësi: Ta atakojë vendimin e OSHP në Gjykatë; Të bëjë vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e ofertave të OE, të cilët janë palë me interes konform nenit 59 të LPP. Por, në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë të shpall prapë fitues OE, i cili me vendime të OSHP ka rezultuar i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit.
Këto vendime, OSHP është bazuar edhe në opinionet e KRPP-së në lidhje me autorizimet për nënshkrim të dokumenteve të tenderit, ku KRPP ka lëshuar një opinion më dt. 24.10.2023 tek pyetjet e shpeshta, përkatësisht pyetja me nr. 14.
“Po ashtu, OSHP ka obliguar AK të ndërmarrë veprime konform nenit 52.7 të LPP, lidhur me këto nënshkrime të dyshimta dhe AK në vend që të bëjë një kontroll efektiv dhe normalisht që lëndën ta dërgojë tek organet gjegjëse të hetuesisë, AK më dt. 16.01.2025 në ora 14:59 kërkon nga OE i rekomanduar për kontratë që të angazhojë një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar këto nënshkrime. Me çrast OE i rekomanduar për kontratë po të njëjtën datë 16.01.2025, gjenë ekspertin teknik të grafologjisë, i cili ekspert në faqen e dytë të këtij akti të ekspertimit thekson se numri referues i ekspertimit dhe datat e marrjes së materialeve është bërë po më datën 16.01.2025. Ky veprim në mes të AK dhe OE të rekomanduar për kontratë i ngjan shumë se ky veprim ka qenë veprim i koordinuar në mes tyre, në të kundërtën është pothuajse e pamundur që thuajse në fund të orarit të punës të kryhen të gjitha këto veprime, të kërkohen sqarime nga OE dhe OE menjëherë të gjejë ekspertin teknik, të dakordohen rreth kërkesës së AK dhe punës të cilën duhet ta kryej ky ekspert dhe të dorëzohet materiali dhe të fillohet puna e hartimit të këtij raporti nga ana e ekspertit të grafologjisë“, thuhej tutje në raport.
Përveç tjerash, OSHP thekson se nuk ka qenë kërkesë e vendimeve paraprake të saj të bëhet një raport nga ndonjë ekspert i grafologjisë nga ana e OE të rekomanduar, këtu kemi një devijim komplet nga ajo që është theksuar në vendimet e OSHP. Raporti i grafologjisë, PSH vlerëson se kjo ka qenë dashtë të bëhet shumë më herët nga vetë AK apo nga ndonjë institucion i organeve gjegjëse të hetuesisë, edhe para se lënda të arrijë në OSHP pas kërkesës për rishqyrtim, me çrast AK edhe ka mundur të njoftohet përherë të parë nga ankuesi e jo sikurse në këtë rast kemi të bëjmë me ekspertizë të grafologjisë që është hartuar nga OE i rekomanduar për kontratë, që nënkupton se nuk kanë një ekspertizë institucionale dhe e cila mund të mos jetë objektive.
“Më pastaj ekspertiza është bërë për katër dokumente të cilat i janë ofruar ekspertit nga ana e OE të rekomanduar për kontratë, të cilat dokumente mbajnë datë të mëvonshme se sa hapja e tenderit për të cilin po kontestohen nënshkrimet, e ku nuk dihet se cili nënshkrim është origjinal i Fatbardh Muharremit, sepse ekspertit kanë mundur t’i ofrohen dokumente të cilat janë të nënshkruara për Fatbardh Muharremin nga dikush tjetër në procedurat e mëvonshme të prokurimit. Hapja e tenderit është bërë më dt. 27.02.2024, ndërsa dokumentet që i janë ofruar OE të rekomanduar për kontratë janë dokumente që mbajnë data të mëvonshme se sa 27.02.2024, që nënkupton se nuk është marrë një mostër e nënshkrimit origjinal e Fabardh Muharremi nga e kaluara, prandaj nuk mund të bëhen konstatime objektive të nënshkrimit të këtij personi“, thuhej tutje në raport.
PSH konsideron se për të pasur një ekspertizë profesionale dhe objektive është dashur të ekzaminohet nënshkrimi i Fatbardh Muharremit i vendosur tek dokumentet zyrtare personale që i ka nënshkruar ky person e këtu mund të hyjë nënshkrimi tek letërnjoftimi apo pasaporta dhe të krahasohet më nënshkrimet e paraqitura tek tenderi përkatës. Sipas vendimit nr. 2024/0513, evidentohen të gjitha këto parregullësi me rastin e nënshkrimit të këtij personi, ku në deklaratë për afatin e liferimit nuk vendoset “për”, por edhe dallime në nënshkrime në dokumentet e tjera.
“Nënshkrimi është një akt personal dhe vullnetar që tregon se personi ka marrë pjesë aktivisht në procesin e krijimit të dokumentit dhe ka të kuptuar çdo term dhe kushte të tij. Nënshkrimi nuk mund të bëhet pa u menduar mirë ose pa u dhënë pëlqimi, përkundrazi ai është një pasqyrë e qartë e një vendimi të informuar. Ky është një mekanizëm që ndihmon për të siguruar që individët të jenë të vetëdijshëm për veprimet që ata po ndërmarrin dhe pasojat që mund të vijnë nga këto veprime. Edhe në këtë rast emri, mbiemri dhe të dhënat e drejtorit L. M. dhe nënshkrimi i personit tjetër F. M. pa i vendosur fjalën “për”, ky konsiderohet dokument i parregullt dhe kjo kualifikohet si kusht administrativ dhe PSH këtë veprim të OE të rekomanduar për kontratë nuk e sheh si të rastësishme, sepse, në rastet kur lind një konflikt apo mosmarrëveshje, nënshkrimi shërben si provë që një person ka pranuar, miratuar ose angazhuar veten për diçka. Për të ruajtur besueshmërinë dhe legjitimitetin e dokumenteve zyrtare është thelbësore që ato të nënshkruhen nga individët e përfshirë. Pa nënshkrimin e duhur, dokumentet mund të konsiderohen të pavlefshme dhe marrëveshjet që mund të kenë pasuar mund të shkelin ligjet përkatëse. Në përfundim, nënshkrimi i një dokumenti ka shumë rëndësi dhe është një akt që nuk duhet të merret lehtë. Ai ka efektet ligjore dhe shoqërore të cilat i japin asaj një fuqi dhe vlefshmëri të paçmuar. Ky është një mjet i domosdoshëm për të garantuar sigurinë, ligjshmërinë dhe ndershmërinë e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe institucioneve“.
Si përfundim, duke u bazuar në kompetencat e OSHP të rregulluara sipas nenit 105, lidhur me nenin 106 të LPP, Paneli Shqyrtues vuri në zbatim mes tjerash dhe nenin 103 të Ligjit të cituar sipas të cilit të gjitha palët e interesuara do të kenë qasje të barabartë në procedurat për shqyrtimin e prokurimit dhe në mjetet juridike dhe se, asnjë vendim i OSHP, nuk do të merret ose bëhet në mënyrën me të cilën diskriminohet në të mirë ose në dëm të një pjesëmarrësi në procedurë ose të një personi ose ndërmarrje tjetër. Prandaj nisur nga të lartcekurat Paneli Shqyrtues ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi i bindur se ka aplikuar zgjidhjen e duhur. Paneli Shqyrtues i OSHP kërkon nga KEK që në procesin e rivlerësimit të aktivitetit të prokurimit të evitohen shkeljet e cituara si më sipër dhe vlerësimi të bëhet konform nenit 59 të LPP.
Ky tender ishtenë OSHP që disa muaj. KEK-u ka shpërblyer me kontratë të negociuar disa herë kompaninë Ex-fis për furnizim me mazut.
Pos qe paneli kishte gjobitur KEK-unë me 10 mijë euro, dhe ka kërkuar masa nga KRPP për zyrtarin e prokurimit, kishte kërkuar nga korporata që tenderi të kthehet në rivlerësim. Korporata e kishte kthyer në rivlerësim tenderin, duke e anukuar në tërsi procedurën. “Patroni” ishte ankuar pwrseri, por panli vendosi që të lerë në fuqi vendimin për anulim.
Nga ana tjetër, atëherë Bordi i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) kishte tërhequr edhe certifikatën e prokurimit për zyrtarin kryesor që në atë kohë udhëhiqte këtë proces, por Gjykata Komerciale ka vendosur që lëndën ta kthejë edhe një herë në rishqyrtim në KRPP. /Kujdestari.info/