Komuna e Vushtrrisë e ka kthyer një procedurë të zakonshme prokurimi, me vlerë 108 mijë euro, në një proces të ndërlikuar që tashmë ka prodhuar dy vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe një përplasje të re ligjore që sërish është në shqyrtim. Bëhet fjalë për tenderin për “Servisimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore për nevojat e QKMF ‘Dr. Safet Idrizi’”, shkruan Kujdestari.info.
Në dhjetor 2025, Komuna vendosi ta anulonte në tërësi këtë aktivitet, duke u arsyetuar me mungesë të mjeteve financiare për vitin 2025. Ky anulim ndodhi në fazën kur procedura për njërin lot kishte përfunduar pa asnjë ankesë dhe kur për tjetrin ishte në proces rivlerësimi pas një kërkese për rishqyrtim. Pra, në atë moment, çështja kryesore nuk kishte të bënte me papërgjegjshmëri të ofertuesve, por me pretendimin e Komunës se nuk kishte mbulim buxhetor.
Megjithatë, ky arsyetim u vlerësua si i ligjshëm. OSHP, në vendimin e saj të parë, konstatoi se anulimi nuk ishte në përputhje me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe e ktheu lëndën në rivlerësim. Paneli vlerësoi se rrethanat e paraqitura nga Komuna nuk përmbushnin kriteret ligjore për anulim të një aktiviteti pas hapjes së ofertave, sidomos kur bëhej fjalë për një kontratë kornizë 36-mujore, e cila nga natyra e saj lejon realizim të shpenzimeve sipas nevojave dhe ndarjeve buxhetore në vitet pasuese.
Në këtë pikë, rrjedha e procedurës mori një kthesë të re.
Ndryshimi i arsyetimit: nga mungesa e buxhetit te mosplotësimi i kushteve
Pas kthimit të lëndës në rivlerësim, Komuna e Vushtrrisë nuk u mbështet më në arsyetimin fillestar për mungesë të fondeve. Në vendimin e rivlerësimit të datës 13 shkurt 2026, Autoriteti Kontraktues konstatoi se asnjëra nga kompanitë pjesëmarrëse nuk i plotësonte kushtet e tenderit.

Kjo përbën një ndryshim substancial në qëndrim nga ana e prokurimit komunal, më dyshimin se nuk po do të shpërblej operatorët e vetëm në garë. Kjo pasi, në fazën e parë të vlerësimit, operatorët ekonomikë ishin konsideruar të përgjegjshëm dhe kishin kaluar filtrat teknikë dhe administrativë, aq sa për njërin lot ishte shpallur edhe fituesi i përkohshëm, ndërsa për lotin tjetër ishte identifikuar ofertuesi i vetëm i përgjegjshëm. Anulimi nuk ishte bërë për shkak të mangësive në oferta, por për shkak të pretenduar mungese buxheti.
Në rivlerësim, buxheti nuk përmendet më si pengesë. Në vend të tij, arsyeja zhvendoset në sferën e validitetit të ofertave dhe sigurimit të tenderit, duke prodhuar një rezultat të ri , eliminimin e të gjithë operatorëve ekonomikë.
Ankesa e dytë dhe përplasja mbi nenin 30 të Rregullores
Në ankesë theksohet se Autoriteti Kontraktues nuk ka zbatuar nenin 30.4 dhe 30.5 të Rregullores, të cilat obligojnë AK-në që, në rast vonesash apo rrethanash të papritura, të kërkojë formalisht nga operatorët ekonomikë zgjatjen e validitetit të ofertave dhe të sigurimit të tenderit. Sipas ankuesit, ky obligim është i qartë dhe imperativ, pasi dispozita përdor formulimin “do të kërkojë”, duke mos lënë hapësirë për diskrecion.
Në dokumentacionin e ankesës theksohet se Komuna nuk ka dërguar asnjë kërkesë zyrtare për zgjatjen e validitetit dhe se përgjegjësia për monitorimin e afateve nuk mund të transferohet tek operatorët ekonomikë, kur ligji e vendos këtë detyrim mbi Autoritetin Kontraktues.
Sipas kësaj logjike, nëse ka pasur “shkëputje” në validitet, ajo është pasojë e mosveprimit të vetë AK-së dhe jo e ndonjë veprimi apo neglizhence të operatorëve.
OSHP autorizon ekspertin, testi i dytë ligjor
Në zhvillimin më të fundit, OSHP ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të analizuar provat dhe dokumentacionin e plotë të çështjes, për të vlerësuar nëse eliminimi i operatorëve është bërë në përputhje me nenin 30 të Rregullores dhe me parimet e proporcionalitetit dhe barazisë në prokurim publik.
Kjo do të jetë hera e dytë që ky tender i nënshtrohet kontrollit të OSHP-së.
Rasti tashmë nuk ka të bëjë vetëm me një anulim për mungesë buxheti, por me një problem më të thellë, nëse një autoritet kontraktues mund të ndryshojë arsyetimin e vendimeve të tij pas një rrëzimi nga OSHP dhe të prodhojë një rezultat të ri përmes një interpretimi tjetër juridik, atëherë kufijtë ndërmjet korrigjimit ligjor dhe manipulimit procedural bëhen të paqartë.
Ky tender ka kaluar nga një anulim për mungesë financimi, në një rivlerësim që përfundon me eliminim të përgjithshëm, dhe tash në një përplasje të re mbi validitetin e ofertave. Çdo fazë ka prodhuar një arsyetim të ndryshëm dhe një rezultat të ri.
Nëse OSHP konstaton sërish shkelje, atëherë do të krijohet një precedent serioz për mënyrën se si trajtohen rivlerësimet pas vendimeve të panelit. Nëse, përkundrazi, konfirmohet qëndrimi i Komunës, atëherë tenderi praktikisht do të mbyllet pa kontratë, pas disa muajsh procedurë dhe dy ankesash formale. Paneli, pritët që të marr vendim pas disa ditësh. /Kujdestari.info/