Në Komunën e Prishtinës duket se telefoni ka “zënë vend të veçantë” në buxhet. Brenda vetëm një muaji, shpenzimet për telefoninë mobile janë rritur në mënyrë të pazakontë nga rreth 1,900 euro në janar në mbi 24 mijë euro në shkurt, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit mujor të Drejtorisë së Financave, vetëm në një kod buxhetor për administratën komunale gjatë muajit shkurt janë paguar 23,000.33 euro për telefoninë mobile.
Megjithatë, kjo nuk është shuma e vetme. Në raport figurojnë edhe pagesa të tjera për telefoni mobile nga drejtori të ndryshme komunale, përfshirë 782.81 euro në sektorin e kujdesit primar shëndetësor dhe 1,013.27 euro në shërbimet rezidenciale.
Në total, sipas të dhënave të raportit financiar, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar të paktën rreth 24,796 euro për telefoninë mobile vetëm gjatë muajit shkurt.


Kjo paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me muajin janar, kur në të njëjtën kategori për administratën komunale janë paguar vetëm 1,901.50 euro për telefoni mobile.
Sipas raportit financiar për muajin shkurt, ndërsa shpenzimet për telefoninë mobile kanë arritur afro 25 mijë euro, në të njëjtën periudhë kategoria e investimeve kapitale rezulton me shpenzim zero euro.
Pra, ka njw diferencë prej mbi 20 mijë eurosh brenda një muaji, dhe kjo është dyshuese për mënyrën se si menaxhohen këto shpenzime dhe nëse gjatë shkurtit janë aktivizuar kartela të reja telefonike apo janë bërë pagesa të grumbulluara.
Mediumi Kujdestari.info në javën e kaluar ka dërguar pyetje zyrtare në Komunën e Prishtinës për të kuptuar arsyet e këtij dallimi të madh dhe për të marrë sqarime se cili staf është i pajisur me kartela të telefonisë mobile nga buxheti komunal.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje. /Kujdestari.info/
