E shtunë, 28 Mars, 2026

Gjykata rrëzon vendimin e OSHP-së për tenderin e KEK-ut, e cilëson “të kundërligjshëm”

Ndaj

Gjykata Komerciale, ka vendosur në favor të kompanisë “Grami” SH.P.K, duke anuluar një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që lidhej me tenderin e KEK-ut për furnizim me gëlqere të hidratizuar, shkruan Kujdestari.info.

Në aktgjykim, gjykata jo vetëm që e ka cilësuar vendimin e OSHP-së si të kundërligjshëm, por ka urdhëruar edhe rishqyrtimin e plotë të çështjes, duke ngritur dyshime për mënyrën e trajtimit të ankesave në procedurat e prokurimit publik.

Rasti nisi pasi kompania “Grami” SH.P.K paraqiti padi në Gjykatën Komerciale kundër OSHP-së dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke kontestuar vendimin e OSHP-së të datës 2 maj 2025, përmes të cilit ishte lënë në fuqi njoftimi i KEK-ut lidhur me aktivitetin e prokurimit për furnizim me gëlqere të hidratizuar. Kompania pretendoi se ishte shpallur padrejtësisht ofertues i papërgjegjshëm, pa një shqyrtim meritor të dokumentacionit të saj.

Sipas padisë, “Grami” argumentoi se ekziston rreziku i dëmit të pariparueshëm nëse kontrata e KEK-ut me operatorët e tjerë zbatohet, duke theksuar se kjo situatë “do t’i shkaktonte dëme të mëdha propozuesit në emër të fitimit të humbur” dhe njëkohësisht do të krijonte “një praktikë të gabuar që dëmton edhe buxhetin shtetëror” . Po ashtu, kompania ngriti shqetësimin se KEK kishte vazhduar me kontraktime të tjera, duke anashkaluar efektin e vendimeve gjyqësore.

Në anën tjetër, OSHP dhe KEK kundërshtuan padinë duke pretenduar se kompania nuk kishte përmbushur kushtet e tenderit, konkretisht duke mos dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për cilësinë e produktit. Sipas tyre, raporti i testimit i paraqitur nuk mund të konsiderohej si certifikatë valide, pasi “raportet e testimit bëhen vetëm në bazë të kërkesës së palës dhe nuk janë ekuivalente me certifikatën e kualitetit” .

Megjithatë, Gjykata Komerciale ka gjetur mangësi serioze në vetë vendimin e OSHP-së. Në aktgjykim theksohet se vendimi është “i paqartë dhe kundërthënës”, pasi në dispozitiv thuhet se ankesa është aprovuar pjesërisht, ndërsa në arsyetim të gjitha pretendimet e kompanisë janë cilësuar si të pabazuara . Gjykata vlerëson se një qasje e tillë bie ndesh me kërkesat ligjore për arsyetim të vendimeve administrative.

Madje, në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjykata ka theksuar se “një arsyetim që është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës apo i pakuptueshëm, është i barabartë me mungesën e tij” , duke e konsideruar këtë si bazë për anulimin e vendimit të OSHP-së.

Si rezultat, gjykata ka vendosur të anulojë vendimin e OSHP-së, ta kthejë çështjen në rivendosje dhe të pezullojë ekzekutimin e tij deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Në vendim theksohet qartë se OSHP duhet të rishqyrtojë rastin dhe të japë një vendim të ri, duke sqaruar në mënyrë të detajuar se cilat pretendime janë të bazuara dhe mbi çfarë provash mbështeten.

Tenderi në fjalë kishte të bënte me furnizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me gëlqere të hidratizuar, një material i domosdoshëm për proceset teknologjike në termocentrale, veçanërisht në trajtimin e gazrave dhe reduktimin e ndotjes gjatë prodhimit të energjisë. Sipas dokumenteve të rastit, aktiviteti i prokurimit me numër KEK-24-2567-1-1-1 parashihte furnizime në sasi të konsiderueshme, ku përmes kontratave të lidhura përmenden edhe dërgesa deri në 1000 ton gëlqere, duke e bërë këtë tender një proces me rëndësi të veçantë për funksionimin operativ të KEK-ut dhe përmbushjen e standardeve mjedisore./Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera