Gjykata konstatoi shkelje ligjore në trajtimin e ankesës së një operatori ekonomik dhe e detyroi Organin Shqyrtues të Prokurimit të veprojë pas më shumë se tre vitesh pritje, shkruan Kujdestari.info.
Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar padinë e kompanisë “Baki Ing” Sh.p.k ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe Komunës së Podujevës, duke konstatuar se OSHP ka rënë në heshtje administrative dhe ka shkelur afatet ligjore për vendosje mbi një ankesë të parashtruar që në nëntor të vitit 2021.
Me aktgjykimin e datës 4 nëntor 2025, i publikuar rishtazi, gjyqtari Gent Bekeri ka obliguar OSHP-në që brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit të gjykatës të nxjerrë vendim lidhur me ankesën e “Baki Ing” Sh.p.k për një aktivitet të prokurimit të Komunës së Podujevës, që kishte të bënte me furnizimin me material për mirëmbajtje.
Gjykata konstatoi se mosveprimi i OSHP-së, pavarësisht kërkesave të përsëritura të paditësit, përbën heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për Konfliktet Administrative dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Kur ankesa mbetet pa përgjigje, kontrata nënshkruhet
Rasti që përfundoi në Gjykatën Komerciale daton nga vera e vitit 2021, kur Komuna e Podujevës shpalli tenderin publik për “Furnizim me material për mirëmbajtje”. Pas publikimit të vendimit fillestar dhe refuzimit të kërkesës për rishqyrtim nga autoriteti kontraktues, operatori ekonomik “Baki Ing” Sh.p.k iu drejtua Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Megjithatë, pavarësisht se ankesa ishte dorëzuar brenda afateve ligjore, OSHP nuk nxori kurrë një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Komuna e Podujevës vazhdoi procedurat dhe publikoi njoftimin për dhënien dhe nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik “Liria” Sh.p.k, veprim që sipas paditësit u bë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 112 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili parasheh pezullim automatik të aktivitetit të prokurimit në rast ankese.
Sipas dokumentacionit gjyqësor, nga dita e dorëzimit të ankesës deri në publikimin e njoftimit për dhënien e kontratës kishin kaluar 26 ditë, pa asnjë vendim nga OSHP.
Justifikimi institucional: “Nuk kishim bord”
Në përgjigjen e saj në gjykatë, OSHP pranoi se nuk kishte nxjerrë vendim përfundimtar, duke u arsyetuar me faktin se bordit të këtij institucioni i kishte skaduar mandati dhe se Qeveria nuk kishte emëruar ende anëtarët e rinj.
Sipas OSHP-së, në mungesë të bordit, institucioni nuk kishte kompetencë të nxirrte vendime dhe, për pasojë, nuk mund të obligonte autoritetet kontraktuese të pezullonin aktivitetet e prokurimit. Madje, OSHP pretendoi se autoritetet kontraktuese kishin vazhduar me nënshkrimin e kontratave, duke u mbështetur vetëm në raportet e ekspertizës së ekspertëve shqyrtues.
Edhe Komuna e Podujevës u mbështet në këtë interpretim, duke deklaruar se kishte vepruar në përputhje me “praktikën” e krijuar në mungesë të bordit të OSHP-së.
Gjykata: Mungesa e bordit nuk e pezullon ligjin
Gjykata Komerciale e hodhi poshtë këtë arsyetim, duke theksuar se mungesa e bordit nuk e amniston OSHP-në nga detyrimi ligjor për të vepruar dhe as nuk ia heq palës të drejtën për mbrojtje juridike.
Në aktgjykim thuhet qartë se paditësi ka shteruar mjetet juridike administrative dhe se, në bazë të ligjit, kishte të drejtë të iniciojë konflikt administrativ për shkak të heshtjes së organit kompetent.
Gjykata iu referua dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, duke sqaruar se nëse organi i shkallës së dytë nuk nxjerr vendim brenda 30 ditëve dhe nuk vepron as pas kërkesës së përsëritur, heshtja konsiderohet refuzim i ankesës dhe hap rrugë për padi.
“Mosnxjerrja e vendimit nga OSHP përbën heshtje administrative dhe është në kundërshtim me afatet e përcaktuara ligjore”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Një precedent i rëndësishëm për prokurimin publik
Vendimi i Gjykatës Komerciale ka peshë më të gjerë sesa vetëm rasti konkret i Podujevës. Ai prek drejtpërdrejt mënyrën se si institucionet e prokurimit publik kanë funksionuar gjatë periudhave kur OSHP ka qenë pa bord funksional.
Në praktikë, mungesa e vendimmarrjes nga OSHP ka krijuar një zonë gri, ku autoritetet kontraktuese kanë vazhduar me dhënien dhe nënshkrimin e kontratave, ndërsa operatorët ekonomikë kanë mbetur pa përgjigje institucionale për ankesat e tyre.
Gjykata e bën të qartë se kjo praktikë nuk mund të justifikohet me boshllëqe institucionale dhe se përgjegjësia për zbatimin e ligjit nuk mund të transferohet te palët private.
Sipas aktgjykimit, OSHP është e obliguar që brenda 30 ditëve të nxjerrë vendim lidhur me ankesën e “Baki Ing” Sh.p.k dhe t’ia dorëzojë atë palës sipas procedurave ligjore. Vendimi mund të ankimohet në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. /Kujdestari.info/