Komuna e Ferizajt ka rënë në radarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pasi në një tender për subvencionimin e fermerëve janë gjetur specifikime teknike të dyshimta që, sipas ekspertëve, kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë produkte të caktuara, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Ferizajt është kapur në befasi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pasi në një tender për subvencionimin e fermerëve me pajisje bujqësore ka vendosur kritere teknike dhe administrative që, sipas ekspertëve të OSHP-së, shkelin ligjin dhe mbyllin garën.
Tenderi, me titull “Ritenderim – Subvencionimi i fermerëve kultivues të perimeve në sera dhe jashtë tyre me pajisje”, kishte vlerën e parashikuar prej rreth 170 mijë eurove. Kompania AgriBau SH.P.K. ngriti ankesë, duke pretenduar se Komuna kishte hartuar dosjen në mënyrë diskriminuese e të kufizuar, dhe se kriteret teknike dukeshin të kurdisura për operatorë të caktuar.

Kuajt e fuqisë me presje dhjetore
Eksperti i OSHP-së gjeti se një nga kriteret më absurde ishte ai për motokultivatorët. Komuna kishte kërkuar që motori të kishte pikërisht 7.1 kuaj fuqi – as më pak, as më shumë. Ky kusht u cilësua jo vetëm jo-standard, por edhe i pajustifikuar teknikisht, duke qenë se prodhues të ndryshëm ofrojnë motokultivatorë me 7, 7.5 apo 8 kuaj fuqi, pa asnjë ndryshim thelbësor për fermerin që e përdor. Kjo, sipas ekspertit, përjashtonte një numër të madh operatorësh nga gara.
Matjet milimetrike të Komunës
Një tjetër gjetje e çuditshme lidhet me përshkrimin e frezave. Në dosje ishte kërkuar që ato të kenë gjerësi prej 1200–1202 mm. Pra, një diferencë prej vetëm 2 milimetrash tolerance, sikur tenderi të kishte të bënte me ndërtimin e satelitëve hapësinorë, jo me freza bujqësore. OSHP konstatoi se kjo nuk përfaqëson tolerancë reale industriale dhe është e papranueshme në kuptimin e ligjit për prokurimin publik.
Teste të panevojshme në fazën e ofertimit
Komuna kishte kërkuar që ofertuesit të paraqesin A-teste të prodhuesit qysh në fazën e ofertimit. Eksperti i OSHP-së theksoi se kjo është disproporcionale, pasi shpesh pajisjet ende nuk prodhohen para se të nënshkruhet kontrata. Kjo kërkesë jo vetëm që ngushton konkurrencën, por edhe krijon dyshime se tenderi është menduar për operatorë që tashmë i kanë pajisjet gati në depo.
CE dhe ISO – kush i jep e kush i merr?
Një pjesë e ankesës së AgriBau lidhej me certifikatat. Komuna kishte kërkuar CE, ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, duke i lidhur drejtpërdrejt me prodhuesin e pajisjeve. AgriBau insistoi se këto duhet të kërkohen nga operatori ofertues, jo nga prodhuesi. Eksperti i OSHP-së nuk e pranoi këtë pretendim, duke theksuar se është praktikë e zakonshme kërkimi i certifikatave ISO nga prodhuesit. Megjithatë, u nënvizua se certifikata CE është më e mjaftueshme për sigurinë dhe cilësinë e pajisjeve.
OSHP: Dosja duhet ndryshuar, afati zgjatet
Pas shqyrtimit të plotë, Paneli OSHP-sw e aprovoi pjesërisht ankesën dhe urdhëroi Komunën e Ferizajt që të përmirësojë dosjen e tenderit, të largojë kriteret diskriminuese dhe të zgjerojë afatin për ofertim. Në të kundërtën, sipas ligjit, komuna mund të përballet me masa ndëshkuese. Po ashtu, kompania ankueses i kthehet tarifa e ankesës.
Ky rast i Ferizajt nuk është i izoluar. Në shumë komuna të Kosovës, tenderët hartohen me specifikime “milimetrike” që shpesh nuk kanë të bëjnë me cilësinë e produktit, por me përjashtimin e konkurrencës. Ironikisht, ndërsa fermerët presin mbështetje reale nga subvencionet, komunat shpesh kthejnë procesin në një lojë teknike me presje dhjetore e certifikata, duke hapur dyshime serioze për favorizime.
Vendimi i panelit është marrë më 3 shtator, ndërsa Komuna e Ferizajt, më datat 10 dhe 11 shtator, ka ngritur në E-prokurim dy formularë standardë për korrigjimet e njoftimit për kontratë, duke bërë disa ndryshime. Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të ketë përsëri ankesa lidhur me ndryshimet specifike të tenderit, për të cilat është thënë se i ishin përshtatur një operatori të caktuar. /Kujdestari.info/
