Procedura e prokurimit për ndërtimin, rregullimin dhe pastrimin e lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga vërshimet, me vlerë të parashikuar rreth 2 milionë euro, e iniciuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, është vënë në përseri në dyshim pas publikimit të Raportit të Ekspertit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan Kujdestari.info.
Sipas këtij raporti, Autoriteti Kontraktues nuk ka zbatuar në mënyrë korrekte dhe substanciale vendimet e mëparshme të OSHP-së, duke ruajtur të njëjtat arsye për eliminim të operatorit ankues dhe duke rekomanduar sërish për kontratë të njëjtin grup operatorësh ekonomikë, pavarësisht udhëzimeve të qarta për rivlerësim të mirëfilltë.
Raporti i ekspertit lidhet me ankesën e parashtruar nga operatori ekonomik “EING COM SH.P.K.”, i cili ka kontestuar ligjshmërinë e vlerësimit dhe krahasimit të ofertave në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi, rregullimi, vendosja dhe pastrimi i lumenjve dhe kanalizimeve për mbrojtje nga vërshimet – Ritender”.
Procedura kishte qenë më herët objekt shqyrtimi në OSHP dhe, me vendime të datës 19 gusht 2025, Paneli Shqyrtues kishte aprovuar ankesën si të bazuar, kishte anuluar njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues dhe kishte kthyer lëndën në rivlerësim. Megjithatë, sipas raportit të ekspertit, pas këtij rivlerësimi, Komuna e Prishtinës ka nxjerrë të njëjtin rezultat procedural, duke rekomanduar përsëri të njëjtin grup operatorësh për kontratë.
Eksperti Shqyrtues konstaton se rivlerësimi i kryer nga Autoriteti Kontraktues ka qenë kryesisht formal, pa reflektuar në mënyrë reale gjetjet dhe udhëzimet e vendimit paraprak të OSHP-së. Në raport theksohet se arsyet thelbësore të eliminimit të operatorit ankues kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa trajtimi i ofertës së grupit të operatorëve të rekomanduar për kontratë nuk ka adresuar mangësitë e evidentuara më herët. (RAPORTI)
Sipas ekspertit, kjo qasje bie ndesh me qëllimin e rivlerësimit, i cili duhet të shërbejë për korrigjimin e shkeljeve dhe garantimin e trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Raporti evidenton një sërë mangësish serioze në dokumentacionin e grupit të operatorëve ekonomikë të rekomanduar për kontratë, përfshirë: mungesën e formularit standard për themelimin e grupit të operatorëve ekonomikë, siç kërkohet nga rregullat e prokurimit publik; mungesën e përcaktimit të qartë të ndarjes së përgjegjësive dhe përqindjeve të pjesëmarrjes së anëtarëve të grupit.
Po ashtu, sipas tij mungojnw dëshmitw e plota për autorizimin nga prodhuesi ose distributori i autorizuar. Ka evidentuar edhe pasiguri lidhur me përmbushjen e kërkesave teknike për materialet dhe standardet e kërkuara.
Eksperti thekson se këto mangësi përbëjnë kushte administrative eliminuese, të cilat nuk mund të sanohen përmes sqarimeve pas dorëzimit të ofertës, dhe për rrjedhojë duhej të ishin trajtuar me seriozitet gjatë rivlerësimit.
Në raport vlerësohet se eliminimi i operatorit ankues “EING COM SH.P.K.” është bërë në kundërshtim me disa dispozita kyçe të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë parimet e barazisë në trajtim, konkurrencës së ndershme, ekonomicitetit dhe transparencës.
Eksperti rikujton se, në vendimet paraprake, Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se për disa produkte zbatohet sistemi i vetë-certifikimit, pa nevojë për certifikim nga trup i pavarur; materialet e ofruara nga operatori ankues i përgjigjen natyrës së kontratës dhe përdorimit emergjent; operatorët ekonomikë nuk mund të eliminohen për kritere që nuk janë të përcaktuara qartë në Dosjen e Tenderit; gabimet teknike formale në sigurimin e tenderit nuk e bëjnë automatikisht ofertën të papranueshme.
Sipas raportit, këto udhëzime nuk janë zbatuar nga Autoriteti Kontraktues gjatë rivlerësimit.
Një element shtesë që theksohet në raport është edhe diferenca e ndjeshme në çmim mes ofertës së operatorit ankues dhe asaj të grupit të rekomanduar për kontratë. Sipas ekspertit, oferta e ankuesit ka qenë rreth 494,800 euro më e lirë, fakt që e bën edhe më të rëndësishëm respektimin e parimeve të ekonomicitetit dhe efikasitetit në shpenzimin e mjeteve publike.
Rekomandimi i ekspertit
Në përfundim, Eksperti Shqyrtues i OSHP-së vlerëson se pretendimet e operatorit ankues janë të bazuara, dhe i propozon Panelit Shqyrtues që të aprovojë ankesën; të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës të nxjerrë pas rivlerësimit, dhe ta kthejë lëndën në rivlerësim të mirëfilltë, me udhëzim të qartë që Autoriteti Kontraktues të zbatojë plotësisht gjetjet dhe orientimet e vendimeve të mëparshme të OSHP-së. /Kujdestari.info/