Kontratat publike për furnizim me ushqim zakonisht lidhen me pritshmërinë që institucionet të përfitojnë çmime më të favorshme se tregu, për shkak të volumit dhe sigurisë së pagesës. Megjithatë, mënyra se si strukturohen disa tenderë me qindra artikuj, çmime për njësi dhe pa sasi të përcaktuara shpesh krijon hapësirë për dilema rreth racionalitetit të shpenzimit të parasë publike. Një kontratë e tillë e Komunës së Skenderajt, me vlerë qindra mijëra euro, nxitë dyshime mbi raportin mes çmimeve të kontraktuara dhe atyre që qytetarët i paguajnë çdo ditë në treg, shkruan Kujdestari.info.
Kontrata publike e Komunës së Skenderajt për furnizim me ushqim dhe pije ka një vlerë të parashikuar prej 346 mijë e 530 euro, ndërsa është lidhur mbi bazën e çmimeve për njësi, pa përcaktuar sasi konkrete për secilin artikull. Sipas dokumentacionit të kontratës, lista e furnizimeve përfshin rreth 290 pozicione të ndryshme, ku për secilin artikull është shënuar sasia “1”, duke e lënë porositjen reale në varësi të nevojave të autoritetit kontraktues.
Në praktikë, kjo do të thotë se komuna mund të porosisë vetëm një pjesë të artikujve të përfshirë në kontratë, ndërsa pagesat vazhdojnë derisa të arrihet tavani financiar i kontratës. Vlera përfundimtare e ofertës, e nxjerrë nga shuma e çmimeve për njësi të të gjithë artikujve, ka rezultuar 216.88 euro si total orientues i listës së çmimeve, por shpenzimi real varet nga artikujt që porositen më shpesh.
Kontrata pwr “Furnizim me ushqim dhe pije si dhe me material higjeniko – sanitar për nevojat e shkollave si dhe të gjitha institucioneve tjera në kuadër të komunës së Skenderajt” është lidhur më operatorin ekonomik “EGZONA S. SHABANI B.I”
Kjo lloje kontrate është formalisht e ligjshme, por potencialisht problematike për transparencën dhe racionalitetin e shpenzimit. Arsyeja është e thjeshtë se në kontrata të tilla me qindra pozicione, operatorët ekonomikë zakonisht e dinë paraprakisht se cilat produkte do të porositen rregullisht dhe cilat pothuajse kurrë, ose krejt pak.
Pozicionet që dihet se do të porositen rrallë, shpesh ofertohen me çmime simbolike, ndonëse çmimi real në treg është shumë më i lartë. Këto shërbejnë për ta ulur çmimin e përgjithshëm të ofertës dhe për ta bërë atë konkurruese “në letër”. Ndërkohë, artikujt që porositen vazhdimisht si ushqimet bazike ofertohen me çmime dukshëm më të larta.
Shembuj ilustrues nga praktika e kontratave të mëparshme komunale tregojnë se nga qindra pozicione të listuara, një pjesë e konsiderueshme nuk porositen fare. Në raste të tilla, çmimet reale që paguhen nga buxheti publik formohen vetëm nga një numër i vogël artikujsh, zakonisht ata më të përdorurit.
Në kontratën aktuale të Skenderajt, bie në sy çmimi për disa produkte ushqimore bazike. Byreku, për shembull, figuron me një çmim prej 1.98 euro për njësi, ndonëse në furrat private në Skenderaj çmimi i tij sillet rreth 1.20 euro. Buka blihet nga komuna me 65 cent, ndërsa në tregun lokal çmimi i zakonshëm është rreth 50 cent, konkretisht nw Skenderaj. Edhe domatet janë kontraktuar me çmim prej 3.5 euro për kilogram, një vlerë që shpesh tejkalon çmimet sezonale në treg, veçanërisht gjatë verës. Vaji 1 kg me çmim prej 1.95 euro, i cili ne treg kushton rreth 1.55 euro.

Në anën tjetër, disa artikuj të tjerë për të cilët dihet se porositen shumë rrallë, ose fare, figurojnë me çmime jashtëzakonisht të ulëta, si p.sh. pjepëri me 50 cent për kilogram, ananas 50 cent kg, Dyner vici e dyner pule, vetëm nga 50 cent. Qofte 1kg me 1 euro, etj. (KONTRATA)
Sipas parimeve të prokurimit publik, në kontratat e furnizimit çmimet për institucionet publike do të duhej, në rregull, të ishin të barabarta ose më të ulëta se ato të tregut, për shkak të volumit dhe sigurisë së pagesës. Në këtë rast, diferencat e evidentuara ngrenë dyshime mbi mënyrën se si strukturohen listat e çmimeve dhe se sa efektivisht mbrohet interesi publik. /Kujdestari.info/