Grupi i Operatorëve Ekonomik “Avokatura Istrefi dhe Osmani” ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Kuvendit të Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar këtë të fundit për shkelje të rënda të Ligjit për Prokurimin Publik në një tender për “Shërbimet e përfaqësimit të avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit”, shkruan Kujdestari.info.
Sipas ankesës së dorëzuar më 15 janar 2026, Autoriteti Kontraktues ka eliminuar ofertën e GOE “Avokatura Istrefi dhe Osmani”, me çmim prej 472.60 euro, ndonëse ishte oferta më e lirë, ndërsa ka shpallur fituese OE “Sejdiu & Qerkini” Sh.P.K., me çmim më të lartë – 627.95 euro.
Ankuesi pretendon se është shpallur “i papërgjegjshëm administrativisht” mbi baza që i cilëson si arbitrare, selektive dhe në kundërshtim me praktikën e OSHP-së, ndërsa dokumentacioni i operatorit fitues, sipas tyre, përmban mangësi serioze që nuk janë trajtuar fare nga Autoriteti Kontraktues.
Pretendime për “copy-paste” në vendimin e rishqyrtimit
GOE “Avokatura Istrefi dhe Osmani” kishte ushtruar më herët kërkesë për rishqyrtim pranë Komunës së Prishtinës, e cila është refuzuar më 8 janar 2026. Sipas ankesës në OSHP, vendimi për rishqyrtim nuk ka trajtuar asnjë nga pretendimet konkrete, por ka riprodhuar mekanikisht arsyetimin e vendimit paraprak për shpalljen e fituesit.
“Kërkesa për rishqyrtim është refuzuar pa asnjë analizë të re, pa vlerësim objektiv dhe në kundërshtim me parimet e transparencës dhe trajtimit të barabartë”, thuhet në ankesë.
Eliminim për “gabime formale”, shpërblim për dokumentacion të skaduar
Sipas ankuesit, Komuna Prishtinës ka bazuar eliminimin e tyre në tri arsye kryesore: mënyrën e plotësimit të deklaratave nën betim, pretendimin për mungesë nënshkrimi dhe vule në marrëveshjen e konzorciumit, si dhe ekzistencën e një marrëveshjeje të brendshme shtesë të GOE-së.
GOE këmbëngul se të gjitha deklaratat janë dorëzuar rregullisht, të nënshkruara dhe të vulosura nga të dy anëtarët, se marrëveshja standarde e konzorciumit është e plotësuar sipas modelit të KRPP-së dhe se marrëveshja shtesë e brendshme është e lejuar dhe e paraparë me Rregulloren nr. 002/2024.
Në anën tjetër, ankesa ngre dyshime serioze për operatorin fitues, duke theksuar se një nga kontratat e punës së dorëzuara për përmbushjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale ka qenë me afat të skaduar që nga viti 2022.
Sipas ankesës, pavarësisht kësaj mospërputhjeje, Autoriteti Kontraktues e ka shpallur OE “Sejdiu & Qerkini” si të përgjegjshëm dhe fitues të kontratës, pa e analizuar fare vlefshmërinë e dokumentacionit.
Vendimi B58 u publikua ditën e fundit të vitit
Një tjetër element problematik i theksuar në ankesë është fakti se vendimi për shpalljen e fituesit (B58) është publikuar më 31 dhjetor 2025, në orët e fundit të ditës, gjatë festave të fundvitit.
Sipas ankuesit, kjo ka cenuar qasjen efektive në mjete juridike dhe ka vështirësuar sigurimin në kohë të dokumentacionit për ushtrimin e rishqyrtimit dhe ankesës.
GOE “Avokatura Istrefi dhe Osmani” i ka kërkuar OSHP-së që ta aprovojë ankesën si të bazuar, ta anulojë vendimin e Komunës së Prishtinës për shpalljen e fituesit, ta kthejë lëndën në rishqyrtim dhe rivlerësim, si dhe të detyrojë Autoritetin Kontraktues që, pas vlerësimit objektiv, ta shpallë fitues ofertuesin me çmimin më të ulët.
OSHP-ja pritet të vendosë nëse procedura e ndjekur nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka qenë e ligjshme apo në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik. /Kujdestari.info/