Në vitin 2025, nëpër banka në Kosovë kanë qarkulluar më shumë para se një vit më parë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetarët janë më të pasur, por se pagesat, transferet dhe transaksionet bankare janë shtuar ndjeshëm. Kështu rezulton nga raporti mujor i Bankës Qendrore të Kosovës për sistemet e pagesave, i cili ofron një pasqyrë të detajuar mbi mënyrën se si lëvizin paratë brenda sistemit financiar të vendit, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar rreth 790 mijë transaksione ndërbankare, me një vlerë totale mbi 27 miliardë euro. Krahasuar me vitin paraprak, kjo tregon një rritje të dukshme si në numër ashtu edhe në vlerë, çka flet për një intensifikim të qarkullimit financiar në vend.
Megjithatë, dihet se rritja e transaksioneve nuk duhet të ngatërrohet automatikisht me rritje të mirëqenies ekonomike. Në shumë raste, kjo rritje lidhet me pagesa të rregullta si paga, pensione, transfere institucionale apo pagesa masive, dhe jo domosdoshmërisht me rritje të investimeve, prodhimit apo fuqisë reale blerëse të qytetarëve.
Muaji dhjetor i vitit 2025 shënon nivelin më të lartë të aktivitetit financiar, si në numër ashtu edhe në vlerë të transaksioneve, një fenomen i cili lidhet kryesisht me pagesat e fundvitit, shpenzimet festive dhe mbylljen e bilanceve financiare nga bizneset dhe institucionet. Vetëm gjatë këtij muaji janë përpunuar mbi 126 mijë transaksione, dukshëm mbi mesataren mujore të vitit, duke e bërë dhjetorin një muaj jo përfaqësues për trendet afatgjata ekonomike.
Struktura e pagesave tregon se pjesa dërrmuese e vlerës së qarkullimit financiar realizohet përmes pagesave bankë-bankë dhe pagesave masive, ndërsa aktivitetet që lidhen drejtpërdrejt me investime afatgjata apo zgjerim të kapaciteteve prodhuese mbeten të kufizuara. Kjo nënkupton se paratë po lëvizin më shpejt brenda sistemit, por pa sjellë ndryshime të mëdha në strukturën e ekonomisë.
Një tregues tjetër që meriton vëmendje është krahasimi mes fillimit të vitit 2025 dhe janarit 2026. Të dhënat paraprake për janar 2026 tregojnë një rënie të lehtë si në numrin ashtu edhe në vlerën e transaksioneve, qe flet pwr një normalizim pas pikut të fundvitit. /Kujdestari.info/