E premte, 13 Mars, 2026

Zyrtarja ligjore u dërgua në recepsion – KPMSHCK e shpall të paligjshëm vendimin e ministrisë

Ndaj

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka shpallur të paligjshëm vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), me të cilin një zyrtare ligjore ishte transferuar në pozitën e recepsionistes, duke konstatuar se vendimi ishte nxjerrë nga një autoritet pa kompetencë ligjore, shkruan Kujdestari.info.

Sipas vendimit të datës 15 janar 2026, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave i KPMSHCK-së ka aprovuar ankesën e nëpunëses civile L.R., duke anuluar vendimin e 25 nëntorit 2025 të ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MINT-it, për transferimin e saj nga pozita “Zyrtare Ligjore” në pozitën “Recepsioniste” në Departamentin e Shërbimeve të Përgjithshme.

Vendimi i MINT-it e kishte arsyetuar transferimin si të përkohshëm, për një periudhë prej gjashtë muajsh, me mundësi vazhdimi deri në 12 muaj, duke theksuar se masa ishte ndërmarrë “për interes të institucionit” dhe se nuk do të prekej paga bazë e zyrtares.

Megjithatë, KPMSHCK ka konstatuar se ky vendim është marrë nga një ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm, i cili vetë ishte emëruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Për rrjedhojë, çdo vendim i nxjerrë prej tij konsiderohet i paligjshëm.

Në arsyetimin e detajuar, Këshilli vë në pah se ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MINT ishte caktuar me vendim të datës 13 gusht 2025, me afat të pacaktuar dhe mbi bazë të gabuar ligjore. Sipas ligjit në fuqi, ushtrues detyre në pozita të larta drejtuese mund të caktohet vetëm nga radhët e kategorisë pasuese drejtuese brenda institucionit dhe për afate të kufizuara kohore.

Në rastin konkret, KPMSHCK ka konstatuar se personi i emëruar si ushtrues detyre nuk i përkiste kategorisë së duhur drejtuese dhe se emërimi i tij bie ndesh me nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, si dhe me ndryshimet e fundit ligjore që rregullojnë këto emërime.

Duke u mbështetur në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Këshilli ka vlerësuar se mungesa e kompetencës ligjore të organit që ka nxjerrë vendimin e transferimit e bën atë juridikisht të pavlefshëm në tërësinë e tij. Për këtë arsye, Kolegji nuk ka hyrë në shqyrtimin e pretendimeve të tjera të ankueses, duke theksuar se vetë fakti i mungesës së autorizimit ligjor mjafton për ta rrëzuar vendimin.

Me vendimin e tij, KPMSHCK ka obliguar Njësinë e Burimeve Njerëzore në MINT që të zbatojë këtë vendim brenda 15 ditëve nga dita e pranimit dhe të njoftojë Këshillin me shkrim për veprimet e ndërmarra. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera