Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar licencimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, duke u mundësuar vazhdimin e aktiviteteve të licencuara deri më 17 gusht 2028.
Vendimi është marrë të premten, më 9 tetor, gjatë seancës së dhjetë të Bordit të ZRRE-së për vitin 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar aplikacionet për licencimin e TC “Kosova A” për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe të KEK sh.a. – TC “Kosova B” për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe termike.
Të dyja licencat kanë afat vlefshmërie nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.
Në këtë seancë, të parën nën drejtimin e kryesuesit të ri, Driton Gojani, Bordi miratoi edhe 53 aplikacione për autorizim të prodhimit të energjisë për vetëkonsum. Prej tyre, 46 aplikacione u përkasin personave fizikë dhe shtatë personave juridikë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 816 kilovatësh.
ZRRE-ja ka njoftuar se të gjitha vendimet e marra gjatë kësaj seance do të publikohen në faqen e saj zyrtare. /Kujdestari.info/