E premte, 13 Mars, 2026

ZKA mbron punësimin pa konkurs, Kujdestari.info evidenton mospërputhje ligjore

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka kthyer përgjigje zyrtare lidhur me raportimin e Kujdestari.info për plotësimin e pozitës Drejtore e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit, pa shpallje konkursi publik. ZKA ka kthyer përgjigje pas një jave dhe vetëm pasi është publikuar artikulli.

Kujdestari.info, bazuar në dokumente zyrtare dhe rregulloret në fuqi, ka evidentuar mospërputhje procedurale në një rast punësimi në Zyrën Kombëtare të Auditimit, konkretisht në plotësimin e pozitës Drejtore e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit. Sipas të dhënave të disponueshme, në qershor të vitit 2024, Minire Begaj ka filluar punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit në pozitë drejtuese, pa u zhvilluar procedurë e hapur rekrutimi apo konkurs publik. Ajo ishte transferuar aty nga Ministria Finacave.

Në reagimin e saj, ZKA mohon shkeljet e pretenduara dhe argumenton se angazhimi i znj. Minire Begaj-Balaj është realizuar në përputhje me rregullativën në fuqi.

Çfarë thotë ZKA

Sipas ZKA-së, pretendimi se Rregullorja (ZKA) Nr. 01/2024 parasheh vetëm rekrutim përmes procedurave të hapura “nuk qëndron”, pasi e njëjta rregullore, sipas institucionit, parasheh edhe transferimin.

“Angazhimi i znj. Minire Begaj-Balaj në pozitën e Drejtoreshës së Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit është bërë përmes transferimit, në përputhje me nenin 36 paragrafi 3 të Rregullores (ZKA) Nr. 01/2024 për Pranimin dhe Karrierën në ZKA”.

ZKA thekson se transferimi është bërë “në nivelin e njëjtë”, respektivisht në kategorinë e mesme drejtuese, të cilën znj. Begaj-Balaj e ka mbajtur edhe në institucionin prej nga është transferuar.

Sa i përket faktit se ZKA është institucion i pavarur kushtetues, auditori i përgjithshëm sqaron se transferimi nuk është bërë mbi bazën e Rregullores (QRK) Nr. 02/2024, por mbi bazën e akteve të brendshme të ZKA-së, të miratuara sipas Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në.

Në këtë kontekst, ZKA i referohet edhe nenit 65 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik, duke argumentuar se transferimi i përhershëm mund të bëhet edhe “në institucion tjetër të shërbimit civil”, përfshirë institucionet e pavarura kushtetuese, të cilat kanë kompetencë të nxjerrin rregulla të brendshme për zbatimin e transferimeve.

Sa i përket koeficientit të pagës, ZKA mohon se znj. Begaj-Balaj ka pasur ndonjëherë koeficient 10.

“Znj. Begaj-Balaj është transferuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me koeficientin 8.6 ekuivalent për nivelin e mesëm drejtues, ndërsa koeficienti 12 është përcaktuar bazuar në Rregulloren (ZKA) Nr. 03/2024 për Klasifikimin e Vendeve të Punës”.

Sipas ZKA-së, ky koeficient i përket të gjitha pozitave të mesme drejtuese në auditim dhe në sektorët mbështetës.

 

Analiza e Kujdestari.info

Sipas vlerësimit juridik të Kujdestari.info, përgjigjja e ZKA-së nuk adreson thelbin e çështjes, por mbështetet në interpretime të zgjeruara të rregulloreve të brendshme, në kundërshtim me parimet themelore të legjislacionit për shërbimin publik.

  1. Pozitat drejtuese dhe konkursi publik

Pozitat drejtuese në institucionet publike, përfshirë institucionet e pavarura kushtetuese, plotësohen përmes konkursit të hapur, në respekt të parimeve të transparencës, konkurrencës dhe meritokracisë. Çdo rekrutim mbi bazë marrëveshjeje ndërmjet institucioneve, pa garë publike, cenon këto parime themelore.

  1. Kufijtë e transferimit

Neni 36 i Rregullores (ZKA) Nr. 01/2024 duhet lexuar në harmoni me qëllimin dhe fushëveprimin e saj. Nenet 1 dhe 2 të kësaj rregulloreje përcaktojnë se ajo rregullon marrëdhëniet e punës brenda ZKA-së, ndërsa transferimet e parashikuara aty kanë për qëllim kryesisht lëvizjet ndërmjet institucioneve me status të ngjashëm kushtetues, jo nga institucione qeveritare që janë objekt auditimi i vetë ZKA-së.

  1. Ligji për Zyrtarët Publik

Referimi në nenin 65 të Ligjit për Zyrtarët Publik, është problematik, pasi pozitat menaxheriale në ZKA nuk janë pozita të shërbyesve civilë klasikë, ndërsa vetë ligji, në dispozitat e tij përjashtuese, bën dallim të qartë për institucionet e pavarura kushtetuese.

  1. Koeficienti i pagës

Bazuar në Ligjin për Pagat, niveli drejtues në ministri ka koeficient më të ulët sesa ai në institucionet e pavarura kushtetuese. Kalimi nga një koeficient ekuivalent 8.6 në koeficient 12 përmes “transferimit” nënkupton jo vetëm ndryshim pozite, por riklasifikim pagash, i cili kërkon procedurë të veçantë dhe transparencë publike.

Koeficienti 12 lidhet me një praktikë më të gjerë të pagesave të diskutueshme për një numër drejtorësh të auditimit, përfshirë edhe Departamentin për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit.

Pavarësisht sqarimeve të ZKA-së, mbeten dilema ligjore mbi mënyrën e plotësimit të pozitës drejtuese, bazën reale të transferimit dhe arsyetimin e koeficientit të pagës. Duke qenë se ZKA ka rol kyç në garantimin e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë financiare, respektimi rigoroz i standardeve të transparencës në vetë institucionin mbetet thelbësor për besimin publik. /Kujdestari.info/

Artikulli i Kujdestari.info:

Pozita e Drejtores për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA u plotësua pa konkurs publik

Lexo më shumë

Të tjera