Aktuale

ZKA e quan takim bilateral me Sllovakinë, por pala sllovake nuk e bëri lajm

Nga Kujdestari Media

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka zhvilluar një vizitë në Zyrën Supreme të Auditimit të Sllovakisë, në Bratislavë, në një takim që ZKA-ja e Kosovës e cilësoi si “takimin e parë bilateral” ndërmjet dy institucioneve. Megjithatë, komunikata e publikuar nga ZKA-ja nuk përmend asnjë marrëveshje të nënshkruar, memorandum bashkëpunimi apo ndonjë rezultat konkret të dalë nga vizita, shkruan Kujdestari.info.

Vizita duhej të merrte një peshë të veçantë edhe për shkak të vendit ku u zhvillua. Sllovakia është njëra nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe Spanjës. Kjo pozitë e Bratislavës vazhdon edhe sot. Vetë Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovakisë ka deklaruar në vitin 2026 se vendi nuk e njeh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.

Megjithatë, mosnjohja nuk ka nënkuptuar mungesë të plotë të kontakteve. Dy vendet kanë marrëdhënie bilaterale. Po ashtu, Kosova dhe Sllovakia kanë pasur kanale bashkëpunimi dhe kontakte institucionale, ndërsa Sllovakia për vite kishte edhe Zyrën e Ndërlidhjes në Prishtinë. Ajo zyrë u mbyll zyrtarisht më 31 dhjetor 2024, ndërsa çështjet për Kosovën tash trajtohen përmes Ambasadës së Sllovakisë në Beograd.

Në komunikatën e saj, ZKA-ja thotë se delegacioni i udhëhequr nga Spanca, ku ishin edhe zëvendësauditori i përgjithshëm Bezad Halilaj, Qendresa Mulaj dhe Lavdim Maxhuni, diskutoi me homologët sllovakë për mandatin, strukturën organizative, strategjitë, proceset e brendshme, etikën, auditimin e pajtueshmërisë, komunikimin institucional, digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale.

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Sllovakisë, Ľubomír Andrassy, sipas ZKA-së, e priti delegacionin dhe foli për rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm. Por komunikata nuk tregon se cili ishte rezultati konkret i këtyre diskutimeve. Nuk përmendet ndonjë marrëveshje, memorandum, plan i përbashkët pune apo angazhim tjetër i matshëm.

Madje, nga materialet e publikuara nga ZKA-ja, e vetmja gjë konkrete që shihet të jetë bërë gjatë vizitës, përtej takimeve dhe prezantimeve, është edhe nënshkrimi në librin e përshtypjeve nga Auditorja e Përgjithshme.

Por, çfarë u arrit realisht nga ky udhëtim?

Vizita mund të jetë një nga kontaktet më të rëndësishme institucionale të ZKA-së në Sllovaki, pikërisht për shkak të veçantisë së marrëdhënieve mes Kosovës dhe një shteti të BE-së që ende nuk e njeh pavarësinë e saj. Por, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje apo rezultati konkret të bërë publik, nga komunikata e ZKA-së nuk mund të kuptohet se vizita ka prodhuar ndonjë hap të ri institucional përtej shkëmbimit të përvojave.

ZKA-ja e Kosovës e ka bërë publike vizitën më 2 tetor. Por në kërkimet e bëra nga Kujdestari.info nuk rezulton një njoftim paralel nga Zyra Supreme e Auditimit të Sllovakisë për këtë takim. (https://www.nku.gov.sk/ )

Faqja zyrtare e institucionit sllovak nuk rezulton të ketë publikuar një njoftim për takimin, ndërsa kërkimet në disa prej mediave kryesore sllovake, përfshirë STVR, TASR/Teraz, Pravda dhe Denník N, nuk nxorën një raportim për vizitën e delegacionit të ZKA-së së Kosovës.

Lajmi nuk u publikua as në rrjetin social facebook të auditorit sllovak ( https://www.facebook.com/nkusr?locale=sq_AL )

Kjo është veçanërisht interesante pasi ZKA-ja e Kosovws e paraqet takimin si “takimin e parë bilateral” ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit.

Kjo nuk dëshmon se takimi nuk ka ndodhur apo se pala sllovake nuk e ka ditur për vizitën. Por flet pwr peshen e takimit nga ana e palës sllovake. /Kujdestari.info/